Please enter at least 3 characters.

“Ekspertët” e urrejnë luftën e Trumpit ndaj Iranit dhe po bëjnë shtatë gabime fatale

Allister Heath

Jo, lufta e Trumpit në Iran nuk ka qenë humbje poshtëruese.

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Çfarë nuk shkon me klasën e ekspertëve në Perëndim? A besojnë vërtet ata, siç vazhdojnë të na thonë, se lufta kundër Iranit është katastrofë, fundi i botës, poshtërimi përfundimtar për Donald Trumpin? Një defetizëm i tillë dhe një katastrofë e tillë nuk janë të justifikuara. Është shumë herët për të nxjerrë përfundime se si do të përfundojë kjo luftë, pavarësisht nga ajo që propagandistët iranianë dhe paqësues të tjerë do të donin të besonim.

Mund të numëroj shtatë gabime kryesore që turbullojnë gjykimet e “ekspertëve” në Perëndim.

Gabimi 1

I pari është paaftësia e establishmentit evropian për të pranuar shkallën e humbjeve të Iranit që nga pogromet e 7 tetorit 2023 kundër Izraelit - një nga llogaritjet më të gabuara të mëdha ushtarake në historinë moderne.

Plani shumëvjeçar i regjimit për dominim rajonal është shkatërruar. Ai ka shpërdoruar dhjetëra miliarda dollarë, forcat e tij të ndërmjetme [Proxy] janë neutralizuar, ekonomia është zhytur në krizë, territori i tij është shkatërruar me afro 20 mijë objektiva të bombarduara, marina është fundosur, mbrojtja ajrore është paralizuar, rezervat dhe lëshuesit e raketave janë shkatërruar, kompleksi ushtarako-industrial është hedhur në erë, kapaciteti bërthamor është kufizuar - por, përveç kësaj, gjithçka është në rregull në Teheran. Është një lloj i çuditshëm “fitoreje” kur Irani nuk ka arritur të rrëzojë asnjë aeroplan të drejtuar nga ShBA-ja apo Izraeli dhe as të fundosë qoftë edhe një anije.

Realiteti është se Irani është degraduar nga një superfuqi rajonale në një shtet terrorist pirat, i aftë vetëm të lëshojë disa raketa dhe dronë drejt objektivave civilë, të kërcënojë me krime kundër njerëzimit dhe të shantazhojë industrinë e transportit detar.

Po, kjo fuqi e mbetur ka shumë rëndësi: kontrolli i Ngushticës së Hormuzit dhe kërcënimi ndaj objekteve të naftës dhe gazit në Gjirin Persik është një formë e fuqishme e luftës asimetrike që po shkakton dëme të mëdha. Por, kjo nuk përbën humbje për ShBA-në, të paktën jo ende.

Nuk e di si do të përfundojë kjo luftë. Negociatat e Trumpit mund të dështojnë. Ai mund të dështojë në pushtim ose mund të ndërmarrë një sulm të suksesshëm ajror. Ajo që është e sigurt është se ai duhet të rihapë Ngushticën dhe do të gjykohet mbi rezultatin.

Gabimi 2

Miti i dytë është se Trumpi po has vështirësi, sepse gjoja nuk planifikoi atë që ishte e dukshme. Në fakt, shumë nga supozimet amerikane ishin të sakta ose madje tepër pesimiste. Doli të ishte çuditërisht e lehtë të eliminohej Ali Khamenei. Irani nuk arriti të mposhtë sistemet mbrojtëse të ShBA-së dhe Izraelit.

Kritikët paralajmëruan se rezervat e interceptorëve të aleatëve do të shteronin pothuajse menjëherë; kjo doli e pavërtetë. Shtetet e Gjirit rezultuan më të qëndrueshme sesa pritej; në vend që të ktheheshin drejt Kinës apo të dorëzoheshin, ato rrëzuan raketa, ndërsa Arabia Saudite si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po afrohen më shumë me Uashingtonin. Humbjet luftarake të ShBA-së kanë qenë më të vogla se sa pritej.

Jo gjithçka ka shkuar më mirë se plani. Trumpi mund të ketë shpresuar që aftësia e Iranit për të përdorur raketa dhe dronë do dobësohej më tej. Mundësia, edhe pse e ulët, e një kolapsi të menjëhershëm të regjimit nuk është realizuar. Është e mundur që ShBA-ja ka nënvlerësuar rrezikun e sulmeve ndaj aseteve energjetike të Katarit.

Por, ideja që Irani do të përpiqej të bllokonte Ngushticën e Hormuzit ishte rreziku më i parashikuar në gjeopolitikë. Trumpi ndoshta e ka pranuar këtë si një kompromis të domosdoshëm, një goditje të pashmangshme. Mund të jetë që ai nuk e priste që Irani të vepronte kaq shpejt. Ndoshta ishte një gabim që nuk u dërguan paraprakisht më shumë mjete për çminim në Gjirin Persik. Këtë do ta mësojmë së shpejti; rreziqet janë të jashtëzakonshme.

Gabimi 3

Problemi i tretë është defetizmi i lindur i Evropës. Duke shkruar në Foreign Affairs në vitin 1969, Henry Kissinger argumentoi se “luftëtari gueril fiton nëse nuk humb. Ushtria konvencionale humb nëse nuk fiton”. Ky argument, i arsyeshëm në kontekstin e Vietnamit, është përgjithësuar deri në pikën e absurditetit.

Shumë vetë në Perëndim tani pretendojnë se çdo gjë më pak se shkatërrimi i plotë i regjimit iranian përbën fitore për IRGC-në dhe humbje për Amerikën, duke përsëritur linjën e ajatollahëve. Premisat e tilla absurde do të nënkuptonin që asnjë fuqi perëndimore nuk mund të fitojë më kurrë një luftë, përveç në rastin e një fitoreje totale si në Luftën e Dytë Botërore.

Në botën reale, Amerika dhe Izraeli do të kenë sukses nëse dobësojnë ndjeshëm kapacitetet bërthamore, raketore dhe ushtarake të Iranit dhe rihapin Ngushticën e Hormuzit. Ndryshimi i regjimit do të ishte triumf, por jo i domosdoshëm për fitoren (dhe mund të ndodhë më vonë).

Gabimi i katërt buron nga urrejtja patologjike e kritikëve ndaj Trumpit, një njeri me mangësi që po bën gjënë e duhur ndaj Iranit. Kundërshtarët e tij përdorin çdo argument, sado kontradiktor. Ata që e përçmojnë presidentin si populist e kritikojnë atë për ndjekjen e një politike jopopullore. Nëse Amerika eliminon një lider iranian, thuhet se kjo do të forcojë regjimin; nëse disa mbijetojnë, kjo gjithashtu interpretohet si dobësi e Amerikës. Çfarëdo që të bëjë ShBA-ja, konsiderohet e gabuar.

Udhëheqësit (e mbetur) të Iranit paraqiten si strategë të shkëlqyer, ndërsa supozohet se Trumpi është i paaftë. Pozicionet ekstreme negociuese të Iranit interpretohen në mënyrë naive si shenjë fitoreje, në vend që të shihen si blof.

Gabimi 5

Ishte gjerësisht e pranuar se duhej të sakrifikonim për Ukrainën, një luftë që edhe unë e mbështes. Gabimi i pestë i gjykimit në Perëndim është të pretendohet se për Iranin vlen e kundërta: asnjë kosto financiare për publikun, sado e vogël, nuk konsiderohet e justifikuar për të rrëzuar regjimin. Pse është në rregull që publiku të paguajë taksa për përfitime më të mëdha, ose çmime më të larta për politikat ambientale, por jo për të luftuar një regjim të urryer terrorist?

Gabimi 6

Gabimi i gjashtë shpjegohet nga përhapja e fortë e antisemitizmit mes elitave perëndimore. Gjatë viteve të fundit, shumë “analiza” mbi Izraelin duket se, ndonjëherë pa vetëdije, kanë përvetësuar gënjeshtrat groteske si “Shpifje për gjak” (Norwich, 1144, vrasësit e fëmijëve), Protokollet e Pleqësisë së Sionit (Rusi, 1903, Netanyahu kontrollon Trumpin përmes një komploti ndërkombëtar hebraik) dhe fushata sovjetike e delegjitimimit anti-sionist (BRSS, vitet 1960-1970, Izraeli është shtet racist, i aparteidit dhe “kolonizatorëve”).

Sauditët ishin ndër ata që e shtynë Trumpin të sulmonte Iranin dhe tani janë të dëshpëruar që ai ta përfundojë punën. Megjithatë, askush nuk i akuzon ata se e “kontrollojnë” Trumpin (edhe pse shtetet e Gjirit financojnë ekonominë amerikane, ndryshe nga Izraeli); përkundrazi, kritikët fiksohen te shteti hebraik.

Trumpi, prej kohësh kritik i ashpër i Iranit - ai i foli The Guardian-it në vitin 1988 për “sulm ndaj ishullit Harg” - paraqitet njëkohësisht si diktator imponues që nuk dëgjon këshillat më të zgjuara, por edhe si kukull, si njeri i mashtruar nga Netanyahu. Izraelitët e donin luftën, por presidenti amerikan është ai që vendos. Ai shtyp butonin dhe, kur vendosë të ndalojë, Izraeli do të përshtatet.

Gabimi 7

Së fundi, pse e majta ortodokse nuk shqetësohet për të drejtat e njeriut të popullit të shtypur iranian? Pse tingëllojnë pothuajse të kënaqur që regjimi nuk ka rënë? Dhe, pse shumë të djathtë - që kundërshtojnë ekstremizmin në Mbretërinë e Bashkuar - refuzojnë të përfshihen për t’ia prerë kokën gjarprit islamist?

Kjo është edhe lufta jonë. Fakti që nuk arrijmë ta shohim këtë, që jemi të bindur se ajo duhet të dështojë, është një aktakuzë e rëndë ndaj degradimit tonë moral. /Telegrafi/

true