Please enter at least 3 characters.

​Edhe dy muaj paraburgim për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe që dyshohet për rrëmbimin e Vukashinoviqit

Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ish-pjesëtarit të MPB-së së Serbisë, V.M., i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe plagosjen e Millan Vukashinoviqit.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj, ka konfirmuar për Kosovapress se me kërkesë të Prokurorisë Themelore, paraburgimi ndaj të pandehurit është vazhduar nga 19 janari deri më 19 mars 2026.

V.M. ishte arrestuar më 20 dhjetor 2025 në Leshak, në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur se i dyshuari ishte ish-pjesëtar i MPB-së serbe, i integruar më herët në Policinë e Kosovës sipas marrëveshjes së vitit 2013, nga ku më pas kishte dhënë dorëheqje.

Sipas Sveçlës, ekzistojnë dyshime se V.M. ka bashkëpunuar vazhdimisht me strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e rrëmbimit të Millan Vukashinoviqit, i cili gjatë incidentit ishte plagosur rëndë dhe po trajtohet në një spital në Serbi.

Pas urdhëresës së Gjykatës, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë dhe një tytë arme.

Millan Vukashinoviq, shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer më 1 nëntor 2025, në afërsi të Leposaviqit, nga xhandarmëria serbe.

Për rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka intervistuar nënën dhe persona të afërt të viktimës. /Kp/