E sulmoi fizikisht dhe ia përplasi kokën disa herë në tokë – Prokuroria jep detaje të vrasjes në Prizren, i dyshuari tentoi t’i fshijë gjurmët e ngjarjes
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në Prizren, ku një grua e moshës 80-vjeçare është vrarë, ndërkaq i dyshuar është burri i saj, 81-vjeçar.
Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë sot detaje të rastit të rëndë në Prizren, duke bërë të ditur se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht viktimën, e ka goditur dhe përplasur disa herë kokën e viktimës në tokë, me ç’rast ajo ka pësuar lëndime të shumta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Si pasojë e lëndimeve të pësuara, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit B.D., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më datë 26.08.2026, rreth orës 00:05, në Prizren, në shtëpinë e tij familjare, i dyshuari, B.D., pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., e ka sulmuar fizikisht atë, dhe e ka goditur dhe përplasur disa herë kokën e viktimës në tokë, me ç’rast ajo ka pësuar lëndime të shumta në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Si pasojë e lëndimeve të pësuara, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, pas ngjarjes B.D., ka tentuar të fshijë gjurmët e ngjarjes, dhe më pas ka njoftuar familjarët për rastin.
Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që secili person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të përgjigjet para organeve të drejtësisë. /Telegrafi/


