E quajti ambasador të Ramës, BE dënon sulmet e Berishës ndaj Silvio Gonzatos
Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili sulmoi publikisht ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Berisha deklaroi një ditë më parë se ambasadori Gonzato “sillet sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës”, duke e akuzuar atë se po i shërben kryeministrit shqiptar dhe se po “trillon në Bruksel” kundër opozitës, duke e paraqitur atë si forcë që punon kundër integrimit evropian të Shqipërisë.
Pas këtyre deklaratave, një zëdhënës i Bashkimit Evropian dënoi sulmet personale ndaj diplomatit evropian, duke i cilësuar ato si të papranueshme.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagimin e BE-së.
Mbështetje për Gonzaton kanë shprehur edhe ambasadorët e vendeve evropiane të akredituar në Tiranë.
Në reagimin e tyre, të udhëhequr nga ambasadori i Qipro, vend që aktualisht mban presidencën e radhës të BE-së, deklaratat e Berishës u cilësuan si “kritika personale të pajustifikuara dhe të papranueshme”.


