E drejtë morale është të zbardhet rasti..!
Vjedhja e fundit e drogës dhe gjësendeve të tjera që ndodhi në ndërtesën e quajtur ish-Qendra për Trajnim Policor afër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka bërë një “boom” të madh në Kosovë, duke u komentuar dhe reklamuar në mënyra të ndryshme sipas nevojës së njerëzve gjë që të çon në qorrsokakë të ndryshëm.
Nuk është diçka jonormale që më gjëra të tilla njerëzit të ngrihen e të ulen në shkallë të ndryshme, sidomos në situate kur jemi në prag të zgjedhjeve. Dhe siç po shihet ky akt i këtillë po iu konvenon disave që në emër të “angazhimit të tyre për shtet” të paraqiten si të ditur dhe të bëjnë me gisht ndaj personave që sipas tyre bartin fajin kryesor e duke kërkuar nga ta si të drejtë morale të japin dorëheqje e duke mos menduar, apo duke harruar se nëse nisemi nga kjo secili nga udhëheqësit e tyre duhet të jep dorëheqje. E këta kanë harruar që para disa viteve u akuzuan për rehatinë në veturat e tyre dhe gjëra të tjera, e sot flasin për moral, e lobojnë që tu ipet vota e ta marrin pushtetin apo ta mbajnë atë.
Askush askënd nuk ka drejtë ta akuzojë për gjëra të pasigurta, por akuzat dhe vërejtjet tona duhet të jenë që të punojnë më shumë në raste të tilla që ato të zbardhen. Nëse ne e akuzojmë dikë që të japë dorëheqje edhe nëse kemi të drejtë, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme, ndoshta për veten e tij do të ishte, por për shoqërinë jo. E nëse nisemi nga ajo që të jap dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës atëherë druajmë se do të shuhet rasti dhe do të ndërpriten diskutimet rreth kësaj çështjeje, e fajtori kryesor do të flejë i qetë, e kjo nuk do të shkojë në dobinë e shtetit.
Kjo i ngjan një fabrike që nëse ndonjë punëtor bën dëme materiale në fabrikë, atëherë si të kërkohet nga drejtori i fabrikës të jap dorëheqje e të lihen ata që kanë qenë kompetent për sigurinë e saj. Kurse në vendin tonë për disa gjërat kanë marrë kah të kundërt, edhe nëse bëjnë gjëra të tilla dorëheqja shihet si gjëja më e preferuar e tyre për arsye se iu është bërë monotone një pozitë e duan ta shijojnë tjetrën.
Pra me dorëheqje të tilla jemi mësuar duke i parë që japin dorëheqje nga një pozitë dhe zënë një pozitë tjetër. Ndërsa ai që nuk është fajtor nuk ka frikë nga askush e mbyll diskutimin rreth kësaj çështjeje kurse të drejtën morale e sheh të punojë për zbardhjen e rastit.
Pra në këtë “shtet” gjithçka bën “vaki”, gjithkush ka drejtë për akuza publike, ia qëlloi apo s’ia qëlloi, akuzojnë bile edhe për moral e duke mos ditur se nëse nuk janë të sigurt kjo është në kundërshtim me moralin e tyre. Mbahet i dyshimti me muaj apo me vite në burg dhe në fund del se paska qenë i pastër dhe harrohet krimi e mbyllet rasti. Kjo gjë nuk e çon përpara askënd, veçse e dëmton imazhin e popullit tonë dhe të policisë e cila deri tash ndoshta është i vetmi organ shtetëror më pak i korruptuar.
(Autori është sudent i Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës)


