Dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, Kurti: Serbia të mos konsiderohet shtet normal derisa t'i dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot bëri homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, i cili ra në mbrojtje të sovranitetit dhe ligjit në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit të organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Kurti pas homazheve tha se heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur qytetarët pa dallim, duke mbrojtur rendin dhe ligjin.
“Tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e vet, këtë hero të Kosovës.
Me këtë rast dua të theksoj guximin e dyfishtë të heroit Afrim Bunjaku. Në njërën anë ai ia mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit... Dua të theksoj edhe aspektin tjetër të guximit të Afrim Bunjakut, e ky është fakti që ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të ri se ai t’ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur në rrugë nga kamionët e grupit terrorist, paramilitarë të Serbisë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri në detyrë tha se guximi i Bunjakut u pasua edhe nga policët tjerë, Alban Rashiti e Mirsad Kryeziu.
“Guximi i heroit Afrim Bunjaku u pasua edhe nga polici Alban Rashiti, i cili mbeti i plagosu por sot është gjallë dhe i fortë në mesin tonë, ashtu si shteti i Kosovës, si dhe të Mirsad Kryeziut i cili nën breshrin e plumbave e nxori trupin e Afrim Bunjakut nga Banjska e Zveçanit”, tha ai.
Kurti tutje i bëri thirrje faktor ndërkombëtar që të mos e konsideroj Serbinë si shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Radoiçiqi dhe të financuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri në detyrë shtoi se aktakuza në Kosovë i përfshin 45 persona dhe këta duhet t’i dorëzohen shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë dhe panumërt, faktet e argumente për përfshirje të tyre në këtë sulm agresor.
“Në të njëjtën kohë duhet të theksojmë se kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës si dhe për qytetarët. Aty u vranë tre terroristë dhe tre tjerë janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që edhe 45 të akuzuarit tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in dhe padyshim që do të kenë gjykim të drejtë”, tha Kurti. /Telegrafi/


