Please enter at least 3 characters.

Dy persona gjenden pa shenja jete, njëra në Mitrovicë dhe tjetri në Vushtrri

Dy raste të ndara të hetimit të vdekjes janë raportuar gjatë 16 korrikut në rajonin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, ndërsa në të dyja rastet trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rasti i parë është raportuar në sheshin "Isa Boletini" në Mitrovicën e Jugut, ku një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Sipas Policisë së Kosovës, viktima nuk ishte përgjigjur në telefon, ndërsa dera e banesës është hapur me asistencën e zjarrfikësve. Ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar se ajo kishte ndërruar jetë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si "Hetim i vdekjes".

Ndërkohë, një rast tjetër është raportuar në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku familjarët kanë njoftuar policinë se një burrë është gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Edhe në këtë rast, me urdhër të prokurorit, trupi është dërguar në IML për obduksion.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje shtesë mbi rrethanat e vdekjeve, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. /Telegrafi/