Dy infermierë ndalohen në Prizren, dyshohet se përvetësuan mbi dy mijë euro nga pagesat e pacientëve
Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka njoftuar se hetimet ndaj të dyshuarve janë zhvilluar pas pranimit të informacioneve operative për keqpërdorim të pagesave të pacientëve.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur që nga qershori i vitit 2026, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa gjatë tyre janë siguruar dëshmi që, sipas autoriteteve, krijojnë dyshimin e bazuar se dy të dyshuarit kanë përvetësuar para nga pagesat për shërbimet shëndetësore.
Bëhet fjalë për të dyshuarit me inicialet Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit, dhe B.R., infermier në QKMF-në e Prizrenit.
“Gjatë periudhës nga muaji gusht deri nëntor të vitit 2024, si dhe nga muaji shkurt deri dhjetor të vitit 2025, gjatë kohës sa ishin në orarin e punës, përkatësisht në ndërrimin e natës në QKMF-Prizren, kanë përvetësuar paratë e arkëtuara nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë.
Sipas hetimeve të deritanishme, Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. dyshohet se ka përvetësuar 1,032 euro.
Shuma e përgjithshme e mjeteve që dyshohet se janë përvetësuar nga të dyshuarit arrin në 2,282 euro.
Prokuroria ka bërë të ditur se veprimet e të dyshuarve krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ata kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas intervistimit, në prani të mbrojtësve, Prokurori i Shtetit ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj të dyshuarve.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prizren do të vlerësojë nëse do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale.
Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se, varësisht nga rezultatet e tyre, ato mund të zgjerohen edhe për periudha të tjera kohore. /Telegrafi/


