Please enter at least 3 characters.

Dukagjini s’e lëshon Merlakun, Osmani dhe Shala në pikëpyetje

2016/01/dukagjini-s-rsquo-e-l-euml-shon-merlakun-osmani-dhe-shala-n-euml-pik-euml-pyetje_hd.jpg

Kështu ka thënë drejtori i klubit nga Klina, Ramush Agushi. “Ne nuk do ta lëshojmë Altin Merlakun te Prishtina. Dukagjini nuk do t’i japë fletëlëshim futbollistit. Në fakt, ne nuk e pengojmë lojtarin të ndërrojë ambient, por jemi kundër të shkojë te Prishtina për shkak se frikësohemi se mund ta humbë karrierën, pasi konkurrenca është e madhe. Nuk duam t’ia humbin karrierën një futbollisti tonë”, theksoi Agushi për gazetën SportPlus.

Prishtinës mund t’i dalë problem edhe me dyshen e Llamkos Kosovës, Labinot Osmanin dhe Bashkim Shalën. Lojtarët kanë marrë pëlqimin nga klubi vushtrrias për të kaluar në Prishtinë, por kjo po vlerësohet si e jashtëligjshme. Personi i vetëm i autorizuar për të lëshuar vendime te Llamkos Kosova nga pronari i klubit, Jeton Sadiku, është Abdullah Kelmendi.

Ky i fundit thotë se para një muaji e gjysmë ka dërguar në FFK një shkresë se vetëm ai përgjigjet zyrtarisht për klubin. Sipas tij, fletëlëshimi i lëshuar nga shtabi i emergjencës është i pavlefshëm.

“Deri në hapje të afatit kalimtar më 15 janar nuk do të lirohet asnjë futbollist zyrtarisht. Deri atëherë do të dihet përfundimisht nëse Jeton Sadiku do të vazhdojë me klubin apo jo edhe pse nuk besoj se ai do t’i pengojë lojtarët”, theksoi Kelmendi për SportPlus.

Llamkos Kosova është ekipi më i prekur nga largimet deri më tash, pasi katër lojtarë të vushtrriasve kanë kaluar te Hajvalia, kurse Ilir Izmaku te Trepça ’89. /Telegrafi/