Drita merr tri pikë të rëndësishme në shtëpi ndaj Malishevës
Drita ka fituar me rezultat 2-1 në shtëpi ndaj Malishevës në kuadër të xhiros së nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë u karakterizua me një dominim të vendasve, të cilin ata nuk po arrinin ta shndërronin në avantazh.
Pas 45 minutave të para dy skuadrat shkuan në pushim mes pjesëve me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e dytë, të besuarit e Zekirija Ramadanit rritën tempon e lojës dhe kështu u shpërblyen me golin e epërsisë.
Autor i golit ishte Besnik Krasniqi i cili u tregua i saktë nga penalltia në minutën e 67-të për rezultatin 1-0.
Kur dukej se Drita do të arrinte të menaxhonte mirë epërsinë e krijuar, mysafirët ia dolën të barazojnë gjithçka.
Ishte Xhemajl Ibishi ai i cili e mposhti Faton Malokun për të barazuar rezultatin në 1-1, por ky rezultat nuk zgjati shumë.
Drita ia doli të rikthehet sërish duke realizuar për 2-1 në minutën e 86-të me anë të Albert Dabiqajt pas asistimit nga Liridon Balaj.
Me këtë fitore Drita shkon në kuotën e 14 pikëve dhe mban pozitën e katërt në tabelë, teksa Malisheva renditet e gjashta me dhjetë sosh./Telegrafi/


