Drejtori i FBI-së shkakton skandal diplomatik - foli publikisht për një operacion sekret në Meksikë
Drejtori i FBI‑së, Kash Patel, ka shkaktuar një skandal diplomatik pasi zbuloi publikisht pjesëmarrjen e agjentëve të këtij agjencie në një operacion të fshehtë në Meksikë, ku u arrestua ish‑olimpisti, Ryan Wedding.
FBI së bashku me policinë meksikane kreu aksionin e arrestimit të Weddingit, por përfshirja e agjentëve amerikanë duhej të mbetej e fshehtë për shkak të ligjeve në Meksikë që ndalojnë operacionet e zyrtarëve të huaj në territorin e tyre, raporton wallstreetjournal.
Megjithatë, menjëherë pas arrestimit Patel publikoi në rrjetet sociale se ekipet e tij kishin punuar “me profesionalizëm dhe bashkë me partnerët meksikanë” për të sjellë Weddingun para drejtësisë - deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta në Meksikë.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum u përpoq të ulte tensionet, duke thënë se nuk ka pasur përfshirje të SHBA‑s për operacionin dhe se agjentët amerikanë ligjërisht janë të kufizuar në Meksikë.
Ajo shtoi se zyrtarët amerikanë i thanë autoriteteve meksikane se bëhej fjalë për një dorëzim vullnetar.
Avokati i Weddingut, Anthony Colombo, kundërshton këtë version dhe thotë se klienti i tij është kapur me pranga nga agjentë të FBI‑s dhe është dërguar në Kaliforni.
Kjo çështje ka tensionuar marrëdhëniet mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, sidomos në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe janë të ndjeshme për shkak të politikave të fuqishme të sigurisë dhe çështjeve të tjera rajonale. /Telegrafi/


