“Do ta rrisë nivelin e Genoas” - De Rossi “mahnitet” nga Mario Mitaj
Trajneri i Genoas, Daniele De Rossi, ka fjalë të mira për mbrojtësin shqiptar Mario Mitaj, duke e cilësuar si një futbollist që mund t’i sjellë vlera të rëndësishme skuadrës italiane.
Tekniku italian beson se lojtari i Kombëtares së Shqipërisë është një përforcim me cilësi të larta dhe një futbollist që mund të ndikojë pozitivisht në mënyrën e lojës së Genoas.
“Ai ka cilësi të shkëlqyera. Ofron shumë mundësi në lojë, e vë skuadrën në lëvizje shumë mirë me topin dhe di si ta shtyjë ekipin përpara. Edhe fizikisht, megjithëse nuk është një lojtar shumë i madh, ka shpejtësi, e kontrollon mirë topin, luan me cilësi dhe avancon vazhdimisht. Për sa i përket cilësisë dhe prekjes së topit, ai do ta rrisë nivelin e skuadrës sonë”, ka thënë De Rossi.
Trajneri i Genoas gjithashtu ka theksuar se Mitaj ka aftësi për të luajtur edhe në pozicione të tjera, duke parë te ai një futbollist me shumë fleksibilitet taktik.
“Kam ndjesinë se ai mund të aktivizohet edhe në pozicione të tjera në fushë,” u shpreh tekniku italian.
Mitaj, në fund të muajit të kaluar, kompletoi transferimin te Genoa në formë huazimi nga Al-Ittihad. Klubi italian ka të drejtën e blerjes së kartonit të mbrojtësit shqiptar për 6.5 milionë euro në fund të sezonit 2026/2027.
Me këtë lëvizje, Mitaj synon të bëjë hapin e radhës në karrierë dhe të dëshmojë veten në futbollin italian. /Telegrafi/


