Digjet një dyqan i pajisjeve elektronike në Viti, intervenojnë zjarrfikësit
22/05/2026
Një zjarr ka përfshirë sot hapësirat e qendrës tregtare “Mediteran” në qytetin e Vitisë, ndërsa në vendngjarje ka dalë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Sipas njoftimit të komunës, në vend kanë intervenuar njësitet e zjarrfikësve, Policia e Kosovës dhe ekipet emergjente, të cilat kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
Kryetari Haliti ka falënderuar ekipet për reagimin e shpejtë dhe ka shprehur mbështetje institucionale për bizneset e prekura nga ky rast.
“Sipas informatave të para, raportohet për dëme materiale, ndërsa shkaqet e zjarrit po hetohen nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.
Nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar nga zjarri. /Telegrafi/


