Please enter at least 3 characters.

Dheu në autostradën “Ibrahim Rugova” po pastrohet me kontratë mirëmbajtjeje, projekti i sanimit i bllokuar në “Gjykatën e tenderëve”

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se ka nisur pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prizren.

Në një postim në Facebook, Basha ka bërë të ditur se pastrimi ka filluar që nga dita e djeshme, ndërsa ka sqaruar se projekti për sanimin e skarpateve është përgatitur nga ministria, por ka mbetur i bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) për shkak të ankesave.

“Që nga dje ka filluar pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në Autostradën ‘Ibrahim Rugova’, në segmentin Suharekë–Prizren”, ka shkruar Basha.

Ai ka theksuar se kontrata për projektin e sanimit është dhënë më 10 prill 2026, por sipas tij procedurat janë zvarritur në OShP.

“Ministria jonë e ka hartuar projektin për sanimin e skarpateve dhe kontrata është dhënë më 10 prill 2026. Megjithatë, për shkak të ankesave, ky projekt po mbahet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), përtej çdo afati të arsyeshëm”, ka deklaruar ministri.

Basha ka kritikuar efikasitetin e OShP-së, duke thënë se, po të mos kishte vonesa, sanimi do të ishte duke u realizuar dhe qytetarët nuk do të përballeshin me rrëshqitje dheu në rrugë.

“Sikur OShP-ja të ishte më efikase dhe të mos kishte zvarritje të panevojshme, sot projekti i sanimit do të ishte duke u realizuar, ndërsa qytetarët nuk do të përballeshin me dhe e rrëshqitje në rrugë”, ka shkruar ai.

Ministri ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin, duke theksuar se vonesat, sipas tij, nuk janë shkaktuar nga ministria.

“Autoudha po pastrohet nga rrëshqitjet e dheut, dhe qytetarët i falënderojmë për mirëkuptimin dhe durimin e treguar për këto vonesa të shkaktuara, pa fajin tonë”, ka deklaruar Basha.

Në fund, ai ka theksuar se siguria në komunikacion mbetet prioritet.

“Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor dhe nuk do të ndalemi së intervenuari aty ku ka rrezik për qarkullimin dhe jetën e tyre”, ka përfunduar ministri. /Telegrafi/