Please enter at least 3 characters.

Kongresistja e njohur amerikane, kërcen valle shqiptare me fëmijët nga Kosova dhe Shqipëria në New York

Kongresistja, Alexandria Ocasio-Cortez, ka marrë vëmendjen e komunitetit shqiptar në New York, pasi u bë pjesë e një valleje tradicionale shqiptare gjatë një aktiviteti kulturor.

Në një video të publikuar në platformën “X”, Ocasio-Cortez shihet duke vallëzuar krah fëmijëve të veshur me kostume popullore shqiptare.

Ajo, e thjeshtë dhe e buzëqeshur, ndjek hapat e tyre ndërsa në sfond valëviten flamuri shqiptar dhe ai amerikan, duke krijuar një pamje simbolike të bashkimit kulturor.

Ky moment është pritur me shumë entuziazëm nga shqiptarët në SHBA dhe më gjerë, të cilët e kanë cilësuar gjestin e kongresistes si një shenjë respekti dhe vlerësimi për kulturën shqiptare.

Për komunitetin shqiptar në diasporë, pjesëmarrja e një figure të tillë të rëndësishme politike përfaqëson një nderim të veçantë dhe një dëshmi të lidhjes së fortë që shqiptarët ruajnë me traditat e tyre.



Në rrjetet sociale, shumë shqiptarë kanë falënderuar atë për këtë përfshirje të veçantë, duke e përshkruar videon si një moment krenarie për diasporën.

Përmes këngës, valleve dhe kostumeve tradicionale, fëmijët shqiptarë në New York dëshmuan se trashëgimia kulturore shqiptare vazhdon të jetojë e gjallë edhe për brezat e ardhshëm.

Ky aktivitet shënoi një tjetër rast ku kultura shqiptare u bë pjesë e jetës shoqërore amerikane, duke forcuar urat e miqësisë mes dy vendeve. /Telegrafi/