Please enter at least 3 characters.

Dëmtim i stacionit të pompave në Berkovë, banorët mbeten pa ujë

KRU “Hidrodrini” njofton se sot, rreth orës 09:25, stacioni i pompave në fshatin Berkovë është dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë për banorët e Berkovës dhe një pjesë të fshatit Zllakuqan, përfshirë Shkollën Fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi”.

Nga njësitë operative të KRU “Hidrodrini” është bërë me dije se dera e stacionit të pompave është hapur me dhunë, ndërsa janë dëmtuar rëndë kabllot lidhëse të sistemit automatik të pompës, frekuentori dhe njehsori elektrik.

Po ashtu, Njësia e KEDS-it në Klinë ka konstatuar dëmtime të rënda në trafon elektrike, ku është grabitur transformatori dhe kabllot ndërlidhëse.

KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se në bashkëpunim me KEDS-in do të ndërmerren të gjitha përpjekjet për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit të rregullt sa më shpejt të jetë e mundur.

Policia e Kosovës ka hapur rastin dhe po zhvillon hetime për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti kriminal. /Telegrafi/