Please enter at least 3 characters.

Deklaratat përfundimtare në rastin  Thaçi dhe të tjerët - lidhur me akuzat për administrim të drejtësisë

Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen Thaçi dhe të tjerëve, në lidhje me akuzat për administrim të drejtësisë.

Seancat do të fillojnë në orën 09:30 dhe mund të vazhdojnë deri në orën 17:15.

Deklaratat përmbyllëse do të jepen sot më 10 shtator dhe po ashtu më 11 dhe 14 shtator 2026.

Në këtë aktakuzë përfshihen Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilajt, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. /Telegrafi/

10/09/2026 10:23- Thaçi i pranishëm në sallë, të tjerët përmes videolidhjes – nis seanca në Hagë

Ka nisur seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku sot do të mbahen deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për administrim të drejtësisë.

Në sallën e gjyqit është i pranishëm Hashim Thaçi, ndërsa të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, po e ndjekin seancën përmes videolidhjes.

Çështja lidhet me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe përfshin pesë të akuzuarit.

10/09/2026 10:00- Aktakuzat ndaj Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit

Gjykata Speciale ka njoftuar se ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe një akuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).

10/09/2026 09:59- Aktakuzat ndaj Thaçit

Deklaratat përfundimtare në rastin e Thaçit dhe të tjerëve - lidhur me akuzat për administrim të drejtësisë


Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media ditë më parë ka bërë të ditur se ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare).

Ndaj tij po ashtu edhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (shkelje e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës).

10/09/2026 09:56- Çka thuhet në aktakuzë?


Sipas aktakuzës, midis 2 korrikut 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë dhe tentoi bashkë me ta, si dhe me persona të tjerë ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza, të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Në aktakuzë gjithashtu pretendohet se Thaçi bëri marrëveshje me Hajdredin Kuçin që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me urdhrin që ua ndalonte atyre të bënin këtë jashtë kushteve të caktuara.

Kuçi pretendohet gjithashtu se kontaktoi edhe një tjetër dëshmitar të Prokurorisë me nismën e vet.