Please enter at least 3 characters.

Dega e Guxo në Deçan jep dorëheqje kolektive, kritikon mungesën e mbështetjes për Osmanin

Kryetarja e Degës së Partisë Guxo në Deçan, Rabije Haklaj, ka njoftuar dorëheqjen e saj të parevokueshme nga të gjitha strukturat e partisë. Ajo ka bërë të ditur se bashkë me të janë dorëhequr edhe Kryesia dhe anëtarët e degës së Guxo në Deçan.

Në një deklaratë publike, Haklaj theksoi se vendimi është marrë pas një mbledhjeje të mbajtur më 8 mars, me unanimitet të plotë të Kryesisë së Degës.

Ajo shprehu zhgënjimin e saj për qëndrimin e partisë në lidhje me çështjen e rizgjedhjes së Presidentes Vjosa Osmani.

“Ne si Degë e Partisë Guxo në Deçan, jo vetëm që u indinjuam, por edhe u zhgënjyem pa masë, ishte një tradhëti e pastër nga partneri i koalicionit”, tha Haklaj.

Ajo shtoi se Presidentja Osmani, edhe pse kishte të drejtë legjitime për të kandiduar për një mandat të dytë, nuk mori mbështetje të mjaftueshme nga partneri i koalicionit dhe u tentua që të tallej me votat e saj.

“I gjithë ky plan për ta futur në garë znj. Osmani, nuk ishte asgjë tjetër vetëm sa për të mundësuar kuorumin kushtetues për zgjedhjen e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për President, z.Konjufcën dhe jo për ta mbështetur realisht zgjedhjen e saj me votë”, tha Haklaj.

Ajo kritikon gjithashtu mungesën e informimit të Degës së Deçanit për qëndrimet e partisë rreth rizgjedhjes së presidentes.

“Ne si degë dhe kontribuues që kemi dhënë gjithçka për Partinë Guxo dhe për fitoren e deputetëve tanë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, na u mohua e drejta elementare për t’u informuar se cili do të ishte qëndrimi i partisë sonë. Pikërisht për këtë arsye, kjo situatë çoi në dorëheqjen time të parevokueshme si themeluese dhe Kryetare e Degës së Partisë Guxo në Deçan, së bashku me Kryesinë dhe anëtarësinë, duke bërë që, që nga sot, më 12 mars 2026, Dega e Partisë Guxo në Komunën e Deçanit të japë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme, si dhe të pushojë çdo funksion dhe mbështetje të mëtejshme për Partinë Guxo”, deklaroi Haklaj.

Në fund të deklaratës, Haklaj theksoi se përkushtimi i saj dhe i Degës së Deçanit ndaj frymës rugoviane dhe mbështetjes së presidentes Osmani do të vazhdojë, pavarësisht largimit nga struktura partiake.

“Puna, përkushtimi dhe angazhimi im profesional, i Kryesisë dhe i anëtarësisë së deritanishme të Partisë Guxo nuk përfundon sot. Përkundrazi. Sepse, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të fuqishëm, të pathyeshëm dhe të palëkundur në atë që kemi besuar, pra frymës rugoviane, si rugovistë të guximshëm dhe të vendosur, krah Presidentes znj. Vjosa Osmani”, përfundoi Haklaj.

Vendimi i Degës së Deçanit për dorëheqje kolektive nga Partia Guxo është zyrtar nga 12 marsi 2026 dhe shënon një ndarje të dukshme politike brenda strukturave të partisë në këtë komunë. /Telegrafi/