De la Fuente mesazh rivalëve: Spanja është e uritur për sukses
Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka folur me optimizëm para ndeshjes së parë të ekipit të tij në Kupën e Botës 2026, ku "La Roja" do të përballet me Kepin e Gjelbër.
Në konferencën për shtyp para takimit, tekniku spanjoll theksoi atmosferën pozitive që mbizotëron në kampin e kombëtares dhe dëshirën e madhe të lojtarëve për të lënë gjurmë në turne.
“Ka entuziazëm, uri për sukses... Janë lojtarë shumë konkurrues, të vendosur që gjithmonë t'i bëjnë gjërat si duhet”.
Ai nënvizoi se futbollistët e kuptojnë plotësisht rëndësinë e momentit, veçanërisht ata që po marrin pjesë për herë të parë në një Kupë Bote.
“Ata janë të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm është ky moment për ta në Kupën e Botës. Disa prej tyre po e përjetojnë për herë të parë këtë kompeticion”.
“Ata e kuptojnë plotësisht peshën e këtij momenti. Për shumë prej tyre, ky do të jetë Botërori i parë dhe kjo e bën gjithçka edhe më të veçantë. Të përfaqësosh vendin tënd në skenën më të madhe të futbollit është ëndrra e çdo lojtari dhe këtë entuziazëm mund ta ndjesh brenda grupit”.
“Jemi të etur që të fillojmë dhe të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, shtoi trajneri i Spanjës.
Spanja hyn në Botërorin 2026 si një nga favoritët kryesorë për ta fituar trofeun, pas triumfit në Kampionatin Evropian dhe paraqitjeve bindëse në vitet e fundit. Ndeshja ndaj Kepit të Gjelbër do të jetë testi i parë për skuadrën e De la Fuentes në rrugëtimin drejt objektivit të madh./Telegrafi/


