Çfarë po ndodh me mediat në rajon? EFJ ngre alarmin për shitjen e “Adria News Network”
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), së bashku me Balkan Free Media Initiative dhe ARTICLE 19 Europe, kanë ngritur shqetësime për shitjen e propozuar të Adria News Network (ANN) te Alpac Capital/European Future Media Investment, shkruan Telegrafi.
Organizatat u kanë bërë thirrje institucioneve evropiane dhe autoriteteve rregullatore që transaksioni të shqyrtohet urgjentisht, veçanërisht për ndikimin që mund të ketë në pluralizmin mediatik, pavarësinë editoriale dhe transparencën e pronësisë së mediave.
Sipas EFJ-së, shqetësimet lidhen edhe me burimet e financimit të Alpac Capital dhe me blerjen e mëhershme të Euronews. Organizata kërkon transparencë të plotë për pronarët përfundimtarë dhe financimin e ofertës për ANN.
EFJ ka përmendur gjithashtu ndryshimet e fundit në drejtimin e disa mediave në rajon, përfshirë N1 Slovenia dhe N1 Serbia, duke vlerësuar se këto zhvillime kanë rritur shqetësimet për të ardhmen e pavarësisë editoriale.
Sipas organizatës, pronari i Alpac Capital, Pedro Vargas Santos David, është regjistruar si drejtor në kompani të lidhura me disa media në Ballkanin Perëndimor, përfshirë N1, TV Nova, Nova.rs, Radar dhe Danas.
EFJ, ARTICLE 19 Europe dhe Balkan Free Media Initiative kanë kërkuar që autoritetet të vlerësojnë transaksionin në përputhje me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe të sigurojnë garanci për mbrojtjen e gazetarëve dhe pavarësisë së redaksive.
“Gazetarët nuk janë asete që transferohen nga një pronar te tjetri bashkë me kompaninë, ndërsa redaksitë nuk duhet të bëhen instrumente të interesave politike apo komerciale”, ka deklaruar presidentja e EFJ-së, Maja Sever, transmeton Telegrafi.


