Çfarë i ndodhi Kylian Mbappes dhe pse u zëvendësua? Lojtari deklarohet pas ndeshjes
Franca siguroi kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026 pas fitores 2-0 ndaj Marokut në Boston, por një moment në fund të ndeshjes ka ngritur shqetësime te tifozët francezë.
Kylian Mbappe u detyrua të largohej nga fusha 13 minuta para fundit të takimit, pasi ndjeu dhimbje në kyçin e këmbës së djathtë. Sulmuesi francez kërkoi zëvendësim dhe në vend të tij u aktivizua Jean-Philippe Mateta.
Ylli i Real Madridit, i cili humbi një penallti në pjesën e parë, por më pas shënoi golin e avantazhit për “Gjelat”, mori trajtim nga stafi mjekësor në bankinë.
Mjekët i vendosën akull në zonën e prekur, pamje kjo që shkaktoi shqetësim te tifozët për gjendjen e kapitenit francez.
Kapiteni i Francës zbuloi se bëhet fjalë vetëm për një shqetësim të vogël në kyçin e këmbës dhe se nuk ka asgjë serioze.
“Kam një dëmtim të vogël në kyçin e këmbës, por jam plotësisht mirë. Mateta ishte në një pozitë më të mirë për të luajtur minutat e mbetura të ndeshjes dhe në atë moment ishte më i freskët fizikisht. Kjo është gjithçka që ndodhi”, deklaroi Mbappe.
Pavarësisht këtij momenti, Mbappe pati një paraqitje vendimtare ndaj Marokut. Ai shënoi golin e parë të ndeshjes dhe arriti në kuotën e tetë golave në këtë Kupë Bote, duke barazuar Lionel Messin.
Në total, kapiteni francez ka shënuar 20 gola në të gjitha paraqitjet e tij në Botëror, vetëm një më pak se rekordi i argjentinasit.
Franca, nën drejtimin e Didier Deschamps, vazhdon rrugëtimin në kërkim të triumfit pas vendit të dytë në Katar 2022. Në gjysmëfinale, “Les Bleus” do të përballen me fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës. /Telegrafi/


