Please enter at least 3 characters.

Carragher ndan informacione të brendshme mbi të ardhmen e Slot

Jamie Carragher ka deklaruar se Arne Slot ka shumë gjasa të mbetet trajner i Liverpoolit edhe sezonin e ardhshëm, nëse “Reds” sigurojnë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Sipas ish-mbrojtësit, Liverpooli aktualisht është në pozitë të favorshme në garën për vendin e pestë, duke qenë shtatë pikë përpara Chelseat.

“Puna e Arne Slot është diskutuar gjatë gjithë sezonit. E kemi trajtuar shpesh edhe në ‘Monday Night Football’. Ka ndoshta një ndarje te tifozët e Liverpoolit, nëse ai duhet të qëndrojë apo të largohet. Por sinjalet që po i dëgjoj unë janë se Slot do të jetë trajner i Liverpoolit sezonin e ardhshëm, nëse e sigurojnë Ligën e Kampionëve – dhe tani për tani duket se do ta bëjnë”, ka thënë Carragher.

Ai e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm rezultatin e fundit të Liverpoolit, sidomos duke marrë parasysh edhe rezultatin e Chelseat një ditë më parë.

“Ky rezultat është jashtëzakonisht i madh për Liverpoolin, kur e mendon edhe rezultatin e Chelseat dje”, u shpreh Carragher.

Duke folur për minutat e fundit të ndeshjes, Carragher pranoi se në rrethana të tilla Liverpooli do të ishte i kënaqur edhe me një barazim, veçanërisht për shkak të situatës me portierin dhe rrezikut që vinte nga kundërshtari.

“Kur u shfaq tabela me 11 minuta shtesë, nga këndvështrimi i Liverpoolit do t’ia kisha shtrënguar dorën kujtdo dhe do ta pranoja një pikë. Me situatën e portierit, Evertoni ishte pak më kërcënues. Liverpooli në fund të ndeshjes dukej si skuadër e vogël dhe unë kisha frikë sidomos nga goditjet standarde”, shtoi ai.

Në fund, Carragher theksoi se mënyra se si u arrit fitorja ishte domethënëse, pasi sipas tij vendimtarë ishin dy prej legjendave të klubit, Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk, të cilët mund të mos jenë më gjatë pjesë e ekipit në vitet e ardhshme.

“Kur mendon si e ka fituar Liverpooli këtë ndeshje e kanë bërë dy legjenda absolute të klubit. Ata nuk do të jenë këtu edhe shumë gjatë: Salah dhe ndoshta Van Dijk pas 12 muajsh. Dy nga më të mëdhenjtë. Salah e ka bërë sërish kundër rivalëve më të mëdhenj të Liverpoolit, siç bën gjithmonë. Kundër Evertonit apo Manchester Unitedit, gjithmonë mund të mbështetesh tek ai”, përfundoi Carragher. /Telegrafi/