Capri bob, frizura verore që duket bukur pa shumë mund
Ka pamje të shkujdesur, elegante dhe natyrale, ndërsa efekti i saj në fytyrë është arsyeja pse po kërkohet gjithnjë e më shumë këtë sezon
Nëse prej kohësh po mendoni për një ndryshim dhe dëshironi një frizurë të re para verës, ekziston një trend që muajt e fundit po i pushton adhurueset e pamjes së lirshme, por njëkohësisht të sofistikuar.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “Capri bob”, një frizurë e frymëzuar nga estetika mesdhetare dhe verat e shkujdesura në bregdetin italian.
Ky model karakterizohet nga vëllimi natyral, tekstura paksa e çrregullt dhe efekti i flokëve që duken sikur janë tharë në ajrin e detit. Gjatësia zakonisht bie diku midis nofullës dhe shpatullave, ndërsa shtresat e buta i japin fytyrës freski dhe lëvizje.
Shumë stilistë flokësh tashmë e quajnë frizurën ideale të verës, sepse duket moderne, elegante dhe është shumë e lehtë për t’u mirëmbajtur. Ndryshe nga variantet e bobit me prerje të rreptë dhe plotësisht të lëmuara, te Capri bob theksi vihet te pamja natyrale dhe stili i relaksuar, transmeton Telegrafi.
Si një nga shembujt më të mirë të kësaj frizure përmendet shpesh Monica Bellucci, bob-i elegant i së cilës tregon më së miri sa femërore dhe e sofistikuar mund të duket kjo prerje.
Përveçse duket shumë “chic” pa pasur nevojë për shumë stilim, Capri bob ka edhe efekt rinues. Ai e kornizon bukur fytyrën, i zbut tiparet dhe u përshtatet formave të ndryshme të fytyrës, por edhe grave të të gjitha moshave.
Lajm i mirë është edhe fakti se balluket nuk janë të domosdoshme – më të rëndësishmet janë pamja e lirshme dhe shtresat që ndjekin natyrshëm formën e fytyrës.
Një tjetër arsye e popullaritetit të tij është mirëmbajtja e thjeshtë. Mjafton një sprej për teksturë ose disa onde të lehta, ndërsa flokët shpesh duken më bukur kur thahen në mënyrë natyrale.
Prandaj, Capri bob është zgjedhje ideale për të gjitha ato që duan freskim të pamjes para verës, pa kaluar shumë kohë para pasqyrës. /Telegrafi/


