Please enter at least 3 characters.

Boll më me kurdisje

2016/01/boll-m-euml-me-kurdisje_2_hd.jpg

Dyshimet e mëdha që u shfaqën kohëve të fundit për kurdisje të rezultateve të ndeshjeve, si në Kupën e Kosovës, ashtu edhe në Superligë, duket ta kenë alarmuar seriozisht Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Të paktën kështu duket nëpërmjet një deklarate që e ka lëshuar për media, sipas të cilës, Komiteti Ekzekutiv i saj ka marrë vendim që ta themelojë një Task-Forcë, me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni të zi, i cili që nga paslufta po vazhdon ta sakatojë futbollin kosovar, gjendja e të cilit edhe ashtu është shumë e rëndë në çdo aspekt që ta shikosh.

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mori vendim që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Hetuesinë dhe Prokurorinë të themelojë një Task-Forcë për parandalimin e dukurive negative që mund të shfaqen ne futbollin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë dërguar medieve nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, që u mblodh të martën.

“Kështu kryetari, Fadil Vokrri, nënkryetari, Agim Ademi, dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, do të bisedojnë me faktorët relevantë për themelimin e kësaj Task-Force”, theksohet në njoftim.

Pavarësisht problemeve që janë shpeshtuar kohëve të fundit në futbollin kosovar, ky organ i shtëpisë së futbollit konsideron se garat janë duke shkuar mirë.

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së analizoi edhe ecurinë e garave dhe konstatoi se me gjithë disa parregullsi, garat po shkojnë mirë, të vetëdijshëm se gjithmonë fundi i Kampionatit ka më shumë rivalitet sportiv. Në këtë drejtim, Komiteti Ekzekutiv inkurajon komisionet, personat zyrtarë të jenë ne nivelin e detyrave dhe të shtojnë efikasitetin e tyre, gjithmonë duke zbatuar aktet normative të FFK-së”, thuhet në kumtesën e FFK-së.

Ditëve të fundit dyshime të mëdha për kurdisje të ndeshjeve kampionale e të Kupës kanë rënë mbi Feronikelin dhe Dritën, të cilat janë sulmuar dhe kritikuar ashpër edhe nga tifozët e tyre, ndonëse ato mohojnë kategorikisht të kenë bërë pazarllëqe, përkundër shumë dyshimeve serioze.

Kurse, FFK-ja heshtte. Siç dihet, nuk ka vit që në futbollin kosovar nuk lind fenomeni i quajtur kurdisje, por dënime assesi nuk ka. Qe 16 vjet vetëm në një rast është shqiptuar dënimi, pasi FFK-ja gjithnjë thirret në atë se nuk mund të dënojë pa pasur fakte.