Boll më me gishtat që drejtohen në fytyrat e viktimave
Boll më me gishta që drejtohen në fytyrat e viktimave!
Ai gishti ynë tregues është më vdekjeprurës se dhuna e abuzuesit. Nëse dikush meriton t’i drejtohet gishti në ,fytyrë ata jemi ne. Secili prej nesh që zgjedh të hesht. Secili prej nesh që zgjedh të mbulojë krimin, të mos e marri vesh bota se na nëpërkëmbet “nderi”.
Secili prej nesh që thotë “shyyyt se asht marre” e i ndrydhin vajzat deri në atë pikë sa kanë frikë te flasin, kanë frikë t’i drejtohen prindit kur janë në vështirësi. Kanë frikë të flasin për ndjenjat se vajzat nuk ndjejnë, ato janë veç për punë e për shërbim, ndjenjat do i mësojnë kur të shkoj te burri.
Sa prej jush janë edukuar të ngrenë zërin për problemet e tyre?
Sa prej jush janë rritur guximtare?
Sa prej jush janë inkurajuar se mund t’ia dalin?
Jemi shoqëri e shpifur, hipokrite e paragjykues. Shumë të zotët për të marrë flamurin mediatik, por të paaftë për të dhënë zgjidhje.
Në doni të bëni diçka të mirë për secilën nga ne, filloni me fëmijët tuaj, mësojuni edukatën seksuale, mësojuni rëndësinë e kujdesit ndaj zonave intime, mësojuni të flasin me ju çdo gjë që i shqetëson, të mos jeni ju gogoli në mendjen e fëmijës tuaj por engjëlli mbrojtës në çdo gjë.
Mësojuni të ngrenë krye, të kërkojnë të drejtën e tyre, të revoltohen, se ju do jeni aty përkrah tyre për t’u dhënë dorën, jo për t’u drejtuar gishtin . Jepuni vajzave tuaja zë, jepuni krah, çojeni në shkollë para se t’i çoni te burri.
Jepuni djemve tuaj edukatë, mësojuni se janë fryt i dashurisë së një femër, mësojuni të mos përbaltin një fëmer, mësojuni të ngrenë krye se dhe ata abuzohen, të dinë të mbrohen.
Në doni të bëni diçka të mirë për hir të Zotit, edukoni brezat, ta çrrënjosim një herë e mirë sterotipin e shpifur “Asht marre!”
Boll më me hipokrizi!
Boll rritëm monstra!
Boll vramë vajza me duart tona!
Boll dështuam të edukojmë breza!


