Biden: E di që këto janë kohë të errëta, por gjithnjë do të ketë edhe dritë
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim në Delaware para se të nisej për në Washington.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, Biden u shpreh se ishte e rëndësishme për familjen e tij që të ndalonte në Delaware para se të udhëtonte për në Washington për inaugurimin e tij.
“Është thellësisht personale që udhëtimi ynë i ardhshëm në Washington të fillojë këtu – vendi që e përcakton më së miri se kush jemi ne amerikanët”, u shpreh ai.
“E di që këto janë kohë të errëta, por gjithnjë do të ketë edhe dritë”, deklaroi Biden.
“Kjo është ajo që e bën këtë shtet kaq të veçantë”, theksoi ai.
Joe Biden, njëherësh dhe kandidati i demokratëve për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, fitoi besimin e qytetarëve amerikanë për ta udhëhequr vendin përgjatë katër viteve të ardhshme.
Nesër edhe zyrtarisht Biden do të inaugurohet si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas certifikimit të rezultatit të këtyre zgjedhjeve nga Kongresi amerikan. /Telegrafi/


