Besjan Rexhepi i bën thirrje ministrit të ri të Drejtësisë: Zbatoni ligjin dhe mundësoni provimin e Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, Besjan Rexhepi, ka reaguar pas emërimit të Jeton Shasivarit në postin e ministrit të Drejtësisë, duke i bërë thirrje që të zgjidhë çështjen e zhvillimit të provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Në reagimin e tij, Rexhepi thekson se emërimi i një ministri të ri nuk është arsye për entuziazëm, duke nënvizuar se studentët i vlerësojnë drejtuesit e institucioneve vetëm përmes veprave dhe vendimeve të tyre, e jo përmes titujve apo përkatësisë etnike.
Ai rikujton se gjatë mandatit të ish-ministrit Igor Filkov, studentët organizuan protesta para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar dialog dhe zbatimin e të drejtës për ta dhënë provimin e Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Sipas tij, kërkesa e studentëve hasi në heshtje dhe injorim institucional.
“Mandati i ish-ministrit do të mbahet mend për premtime të pambajtura dhe mungesë vullneti për të korrigjuar një padrejtësi që prek drejtpërdrejt studentët dhe besimin e tyre te institucionet”, vlerëson Rexhepi.
Duke iu drejtuar ministrit të ri, ai thekson se besimi i studentëve nuk fitohet me deklarata, por me vendime konkrete.
“Studentët nuk kërkojnë privilegje. Ne kërkojmë barazi para ligjit, respekt për meritën dhe një sistem që nuk diskriminon mbi bazën e gjuhës”, shprehet ai.
Rexhepi thekson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve tashmë ekziston dhe se nuk ka nevojë për interpretime apo arsyetime të reja, por vetëm për zbatimin e tij në praktikë.
Në reagim, ai nënvizon se studentët janë potenciali më i madh i shtetit dhe se çdo sukses i vendit fillon nga universitetet, ndërsa shton se bashkëjetesa ndërtohet përmes drejtësisë dhe barazisë reale, e jo me slogane politike.
Në fund, Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore e cilëson këtë çështje si testin e parë dhe më të rëndësishëm për ministrin e ri të Drejtësisë.
“Nëse e zgjidhni këtë padrejtësi, do të mbaheni mend si ministri që vendosi drejtësinë mbi kalkulimet politike. Në të kundërtën, do të jeni vetëm një tjetër emër në listën e ministrave që nuk arritën ta zgjidhin këtë problem”, përfundon reagimi i Besjan Rexhepit.
Ai thekson se studentët do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtën, meritën dhe dinjitetin studentor derisa kërkesa për zhvillimin e provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe të marrë një zgjidhje përfundimtare.


