Please enter at least 3 characters.

Ben Affleck: Hollywood-i po zbehet, sot është pothuajse e pamundur të bësh film nën 20 milionë euro

Ben Affleck

Ben Affleck ka pranuar se ka “diçka të vërtetë” në pretendimin gjithnjë e më të shpeshtë se Hollywood-i po hyn në rënie, jo për mungesë interesi, por sepse prodhimi i filmave është bërë jashtëzakonisht i shtrenjtë.

I ftuar në podcast-in “All the Smoke”, ai u pyet çfarë u thotë atyre që pretendojnë se “Hollywood-i ka vdekur” dhe se është tepër e kushtueshme të bësh filma.

Affleck u përgjigj se dikur kishte shumë projekte me buxhete të ulëta – nga rreth 230 mijë euro deri në afërsisht 920 mijë euro – ndërsa sot hyrja në industri kërkon një nivel shumë më të lartë financimi, gjë që e vështirëson krijimin e filmave më “të vegjël”, me më shumë rrezik artistik.

Ben Affleck

Ai theksoi se do të donte të ekzistonte një “hapësirë” ku filmat jo domosdoshmërisht komercialë të mund të realizohen me profesionistë, por pa kosto marramendëse.

Affleck shtoi se, edhe pse ka njerëz të gatshëm të punojnë, xhirimet në Kaliforni shpesh kushtojnë më shumë sesa në vende të tjera që ofrojnë lehtësira fiskale dhe ulje taksash për produksionet filmike.

Kur u pyet sa para duhen sot për një film që synon të shfaqet në kinema, ai tha se zakonisht rreth 23 milionë euro janë vetëm pika e nisjes, ndërsa shpenzimet rriten shpejt sapo përfshihen skena aksioni apo efekte vizuale.

Me këtë, plus marketingun që mund të shkojë edhe rreth 23 milionë euro të tjera, investimi total për një film mund të arrijë lehtë në rreth 46 milionë euro.

Megjithatë, Affleck vuri në dukje se industria vazhdon të jetë aktive, duke përmendur se edhe vetë ai është i përfshirë në shumë projekte të reja, si producent dhe aktor. /Telegrafi/