Please enter at least 3 characters.

BE-ja do të vendosë tarifa doganore për dërgesat e mallrave të lira nga Kina - dihet sa do të paguhet për çdo pako

Shein, Temu, AliExpress dhe kompani të tjera të ngjashme do të duhet të paguajnë doganë për dërgesat e tyre në Bashkimin Evropian.

Ministrat e financave të vendeve anëtare të BE-së janë pajtuar që të vendosin këtë taksë doganore. Deri më tani, dërgesat me mallra të lira janë importuar pa pagesë.

Qëllimi është që pagesa e doganave të nisë sa më shpejt gjatë vitit të ardhshëm. Kjo është një përgjigje ndaj numrit të madh të dërgesave me mallra të lira, kryesisht nga Kina.

Ministri holandez i Financave, Eelco Heinen, deklaroi se kishte ardhur koha që këto dërgesa të vihen nën kontroll, raporton reuters.

Aktualisht, në BE nuk paguhet doganë për dërgesat nga vendet jashtë Unionit (vendet e treta) me vlerë deri në 150 euro. Dogana e re do të jetë në formën e një tarife fikse prej dy eurosh për çdo dërgesë.

Autoritetet theksojnë se qëllimi i kësaj mase është të sigurohen kushte të barabarta tregtie për të gjithë shitësit. Thuhet se dërgesat me mallra të lira nga Kina kanë dëmtuar veçanërisht kompanitë e vogla dhe të mesme në BE, si dhe kanë shtuar sasinë e mbeturinave nga ambalazhet.

Fillimisht, Bashkimi Evropian kishte planifikuar që këto dogana të fillonin të aplikoheshin nga viti 2028, por kjo është ndryshuar për shkak të pakënaqësisë në rritje në vendet anëtare.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, vitin e kaluar në BE mbërrinin çdo ditë rreth 12 milionë paketa — shumë më tepër se në dy vitet e mëparshme. Dy platformat më të njohura të shitjeve online janë ato kineze Temu dhe Shein. /Telegrafi/