BE-ja dhe karrierat kreative: Filmi dhe kultura nuk njohin kufij
Gjatë Festivalit të Filmit në Sarajevë, në kuadër të fushatës “BE me TY”, në Sarajevë u mbajt paneli me titull “Culture that Connects - European Opportunities for the Creative Industries”, i cili u fokusua në mënyrën se si BE-ja dhe programi “Creative Europe” mund të mbështesin zhvillimin e karrierës së të rinjve në sektorin kreativ. Vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë katër viteve të fundit, programi ka ofruar më shumë se 7 milionë euro mbështetje për mbi 100 projekte, përfshirë Festivalin e Filmit në Sarajevë, Teatrin Kombëtar të Bosnjës në Zenicë, Muzeun e Artit Bashkëkohor në Banja Llukë, Qendrën Kulturore në Trebinjë dhe shumë të tjera.
“Kultura nuk njeh paragjykime dhe as kufij. Prandaj, programet tona, si Creative Europe, Erasmus+ dhe iniciativa të tjera mbështetëse, janë mjete të shkëlqyera që ndihmojnë procesin e integrimit. Filmi dhe kultura kanë një fuqi unike për të sfiduar supozimet, për të ofruar perspektiva të ndryshme dhe për të ndërtuar ura të vërteta përtej kufijve. Në këtë rajon ka kineastë, muzikantë, artistë dhe shkrimtarë të jashtëzakonshëm, dhe do të thosha se krijimtaria është ambasadorja më e mirë e tij”, tha në hapje të panelit Luigi Soreca, ambasador i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ai theksoi se gjithmonë e ka vendosur kulturën në qendër të punës së tij, pasi pikërisht kultura është pikënisja për përcjelljen e vlerave të Bashkimit Evropian. “Sektori kreativ është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Ai është një nxitës i zhvillimit ekonomik, krijon vende pune të kualifikuara dhe fuqizon ekonominë lokale. Prandaj, duke mbështetur kulturën, ne po mbështesim një Evropë më të lidhur”, tha Soreca.
Sarajeva, shembull i mbështetjes evropiane për kulturën
Festivali i Filmit në Sarajevë (SFF) është një prej shembujve më të mirë se si Creative Europe mbështet forcimin dhe rritjen e industrisë, zhvillimin e talenteve dhe krijimtarisë, si dhe forcimin e identitetit, kulturës dhe vlerave evropiane.
Financimi përmes Creative Europe është i disponueshëm për sektorin kulturor dhe kreativ në Bosnjë dhe Hercegovinë që nga viti 2014. BE-ja e mbështet Festivalin e Filmit në Sarajevë përmes iniciativave të tilla si Talents Sarajevo, CineLink Industry Days dhe Youth and Peacebuilding.
Paneli mblodhi gazetarë, Ambasadorët e Rinj Evropianë (Young European Ambassadors)dhe krijues të përmbajtjes nga i gjithë Ballkani Perëndimor. Pjesëmarrësit mësuan se, krahas festivaleve të mëdha si ato në Sarajevë dhe Pula, Creative Europe ofron programe mbështetëse për shkrimtarë, dizajnerë dhe aktorë, mbështet bashkëprodhimet dhe organizimin e festivaleve, si dhe të rinjtë në fillimet e karrierës së tyre.
Paneli u moderua nga Milan Inić, i njohur si Yasserstain, një prej krijuesve digjitalë më me ndikim në Ballkanin Perëndimor. Në panel morën pjesë regjisori, skenaristi dhe producenti malazez Ivan Marinović; producentja serbe dhe themeluesja e This and That Productions, Snežana van Houwelingen; producenti, themeluesi i Realstage Productions dhe drejtuesi i CineLink Industry Days në Festivalin e Filmit në Sarajevë, Ishak Jalimam; si dhe producenti, themeluesi i Vizart Film dhe ish-drejtuesi i Creative Europe MEDIA Desk Bosnia and Herzegovina, Zoran Galić.
Duke folur për përvojën e tij, para dhe pas mbështetjes nga programi Creative Europe, Marinović tha se ndryshimi është i madh. Ai e di këtë nga përvoja personale, pasi ka realizuar filma para se Mali i Zi të bëhej pjesë e programit Creative Europe.
“Cikli i zhvillimit të një projekti filmik kërkon shumë kohë, vite, dhe cilësia varet nga pasja e kësaj kohe, sepse mund ta kuptoni kur diçka është bërë me nxitim. Ky program ju jep oksigjenin që ju nevojitet për të mbijetuar gjatë kësaj periudhe. Pa mbështetje, rreziku është më i madh dhe gjithçka është shumë më e vështirë”, tha Marinović.
Ai shtoi se filmat e parë i kishte realizuar kur ishte i ri dhe nuk kishte familje apo përgjegjësi të tjera, por kjo është mënyra se si punojnë shumë regjisorë debutues – duke u mbështetur te rinia dhe energjia.
“Në fund të fundit, shikoni sa kohë kalon mes dy filmave. Për disa janë 14 vjet, që do të thotë se njerëzit nuk punojnë gjatë viteve kur janë më produktivë, sepse janë duke mbledhur para”, tha Marinović, duke theksuar se filmat në rajon realizohen me shumë pasion dhe se gjërat bëhen dukshëm më të lehta me Creative Europe.
Rrjetëzimi dhe mundësitë për të rinjtë
Houwelingen theksoi rëndësinë e rrjetëzimit, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, bursave dhe pjesëmarrjes në punëtori për punën e çdo profesionisti kreativ. “BE-ja po bën gjithçka që mundet, por problemi qëndron te fondet kombëtare. Askush në rajon nuk ka një sistem të shëndoshë kombëtar për mbështetjen e të rinjve krijues”, tha ajo.
Ambasadorët e Rinj Evropianë u interesuan edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale në industrinë e filmit. Pjesëmarrësit u shprehën se AI është një mjet dhe se “askush dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë njohurinë e Steven Spielbergut dhe kamerën e tij”, por pranuan se në disa pjesë të procesit të realizimit të filmit inteligjenca artificiale tashmë është bërë e domosdoshme.
“AI është një mjet, por shumëçka duhet të rregullohet nga këndvështrimi i të drejtave të autorit dhe, për krijuesit, kjo është tani çështja më e rëndësishme”, tha Houwelingen.
2.44 miliardë euro për kulturën evropiane
Që nga viti 2014, Creative Europe ka mbështetur projekte që synojnë promovimin e diversitetit kulturor, shprehjes artistike dhe potencialit ekonomik të industrive kreative.
Për periudhën 2021-2027, programi është i strukturuar në tri fusha -Culture, MEDIA dhe Cross-sectoral- dhe ka një buxhet prej 2.44 miliardë eurosh për të mbështetur dhe promovuar diversitetin kulturor dhe gjuhësor evropian, për të forcuar bashkëpunimin kulturor dhe për t’iu përgjigjur nevojave dhe sfidave të sektorëve kulturorë dhe kreativë.
Programi mbështet gjithashtu bashkëpunimin ndërmjet sektorëve kulturorë dhe kreativë, zgjidhjet inovative digjitale, edukimin mediatik dhe iniciativa që promovojnë një mjedis mediatik pluralist dhe rezistent.
Nga Sarajeva, mesazhi i panelit ishte i qartë: kultura dhe krijimtaria nuk njohin kufij, ndërsa mundësitë evropiane mund të krijojnë ura të reja për të rinjtë dhe profesionistët kreativë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/


