Banorët e Tusuzit në Prizren rendisin kërkesat për përmirësimin e lagjes
Në kuadër të nismës “One Wish For My Street”, EC Ma Ndryshe ka zhvilluar një aktivitet me banorët e lagjes Tusuz në Prizren, me qëllim identifikimin e problemeve dhe nevojave të komunitetit për hapësirat publike dhe cilësinë e jetesës.
Gjatë aktivitetit, banorët e rrugëve “Xhevat Berisha”, “Selajdin Berisha”, “Bashkim Suka”, “Ymridin Qengaj” dhe zonave përreth kanë paraqitur kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
Përmes një harte të lagjes të vendosur në hapësirën publike, qytetarët kanë evidentuar problemet dhe kanë propozuar zgjidhje për përmirësimin e mjedisit dhe infrastrukturës.
Ndër kërkesat kryesore të banorëve ishin vendosja e më shumë shportave për mbeturina, ndërtimi i shtigjeve për biçikleta dhe këndeve të lojërave për fëmijë, krijimi i një parku të përbashkët, mbjellja e pemëve dhe përmirësimi i ndriçimit publik.
Banorët kanë kërkuar gjithashtu rregullimin e rrugëve dhe kalldrëmeve, ndërtimin e trotuareve, krijimin e parkingjeve, si dhe ndërhyrje në sistemin e kanalizimit dhe atë për ujërat atmosferike.
Shqetësim i veçantë është ngritur edhe për zaptimin e trotuareve nga automjetet, që vështirëson lëvizjen e këmbësorëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu, banorët kanë kërkuar masa për përmirësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara dhe trajtimin e problemit me qentë endacakë.
EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se të gjitha kërkesat dhe propozimet e mbledhura do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim shqyrtimin dhe ndërmarrjen e masave konkrete.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga BMZ dhe SECO, përmes GIZ Kosova. /Telegrafi/


