Bajrami: Nuk ka para të mjaftueshme për libra, por për zgjedhje nga 100 euro për votë i keni të sigurta
27/08/2026
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën e kategorizimit të shumave të subvencionimit për blerjen e teksteve shkollore.
Bajrami ka ironizuar me shumat e ndara për prindërit.
“Nuk ka para të mjaftueshme për libra, por nëse shkojmë në zgjedhje, nga 100 euro për votë i keni të sigurta”, ka shkruar Bajrami.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë dhe të mos i lënë ankesat vetëm në deklarata.
“Qytetarët kanë një armë shumë të fortë në dorë – votën. Përdoreni atë!”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Reagimi i saj vjen pas vendimit të Ministrisë së Arsimit për përcaktimin e shumave të subvencionimit për tekstet shkollore për nxënësit e klasave 1–9.


