Baerbock: Sulmet e ukrainasve brenda Rusisë janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, vlerësoi sot se sulmet gjithnjë e më të shpeshta të ukrainasve në territorin rus janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Rusia sulmoi Ukrainën dhe për shkak të kësaj, Ukraina ka të drejtë sipas Kartës së OKB-së për të mbrojtur vendin dhe popullin e saj”, tha ministrja gjermane para gazetarëve kur u pyet për rrezikun e mundshëm të përhapjes së konfliktit shkaku i sulmeve të ukrainasve me dron në rajonin e Moskës.
Sipas saj, Rusia "bombardon pa mëshirë objektivat civile në Ukrainë, magazinat e grurit, spitalet dhe kishat", ndërsa Ukraina mbrohet brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar.
Kryediplomatja gjermane e tha këtë në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me kolegun e saj estonez, Margus Tsahkna.
"Ukraina ndjek ligjin ndërkombëtar dhe ne duhet të jemi të qartë për këtë. Nuk po flasim vetëm për përfundimin e luftës, por edhe për ndjekjen e planit të paqes të presidentit (Volodymyr) Zelensky. Kjo do të thotë – largimin e Rusisë në Rusi”, tha Cahkna.
Moska fajëson Kievin për sulmet me dron, ndërsa Kievi në përgjithësi nuk i komenton ato, raporton aa.
Autoritetet ruse njoftuan sot se Rusia ka qenë shënjestër e sulmeve me dron ukrainas për të pestën ditë radhazi. /Telegrafi/


