Azemi e quan diskriminues vendimin për 100 euro për sektorin privat: Qesharake dhe jo njerëzore
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e nga 100 eurove për punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos “Inflacioni 2.0”, duke e cilësuar atë si diskriminues në raport me sektorin publik.
Në një konferencë për media, Azemi tha se sa herë që Qeveria ndërmerr masa stimuluese për punëtorët, krijohet – sipas tij, një ndasi e madhe ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
“Sot këtë konferencë për shtyp e kemi sjellur lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pakon e Inflacionit 2.0. Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi.
Ai krahasoi mbështetjen financiare që, sipas tij, është dhënë më herët për sektorin publik me atë që parashihet për sektorin privat, duke thënë se dallimi është i madh.
“Punëtorët e sektorit publik morën rreth 65 milionë euro, punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, u shpreh ai.
Azemi tha se, sipas kritereve të vendosura, përfitimi për sektorin privat do të vlejë vetëm për punëtorët me pagë nën 1 mijë euro, ndërsa në sektorin publik, sipas tij, kanë përfituar edhe ata me paga mbi këtë shumë.
“Punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, tha ai.
Ai e lidhi vendimin edhe me pragun zgjedhor, duke pretenduar se masa nuk është marrë për mbështetje reale të punëtorëve.
“Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve… të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, deklaroi Azemi.
Kreu i sindikatës paralajmëroi se një pjesë e madhe e punëtorëve privatë mund të mos përfitojnë nga kjo masë, duke përmendur mungesën e kontratave të punës dhe vështirësitë me aplikim.
“Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune”, tha ai.
Në fund, Azemi tha se sektori privat vazhdon të mbetet më i dëmtuari, duke krahasuar numrin e punëtorëve dhe shumën totale të mbështetjes.
“300 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës po marrin 20 milionë euro, përderisa tek punëtorët e sektorit publik, 85 mijë kanë marrë 65 milionë euro”, përfundoi Azemi. /Telegrafi/


