Autobusët e Trafikut Urban shndërrohen në hapësirë sensibilizimi për kancerin e gjirit
Trafiku Urban i Prishtinës ka njoftuar se autobusët e tij janë shndërruar në një hapësirë sensibilizimi për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Përmes këtij aktiviteti është përcjellë mesazhi për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit, kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit në kohë të sëmundjes.
Nga Trafiku Urban është theksuar se kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të shpeshta te gratë, ndërsa mund të prekë edhe burrat. Sipas tyre, kontrollet e rregullta dhe zbulimi i hershëm mund të ndikojnë në trajtimin dhe mundësinë për shërim.
Trafiku Urban ka bërë thirrje që qytetarët të mos e shtyjnë kontrollin dhe të kujdesen për shëndetin, duke theksuar se një kontroll në kohë mund të shpëtojë një jetë.
Ndërkaq, përmes nismave të tilla, kjo ndërmarrje synon të kontribuojë edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve për çështje që lidhen me shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit.
Në kuadër të “Tetorit Rozë”, theksi vihet te ndërgjegjësimi, kujdesi dhe kontrollet në kohë si hapa të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të gjirit. /Telegrafi/


