Arsenali vendos në shitje yllin e skuadrës – Real Madridi po ‘fërkon’ duart
Martin Zubimendi, mesfushori 27-vjeçar, mund të largohet nga Arsenali gjatë këtij afati kalimtar nëse në adresë të klubit anglez mbërrin një ofertë që i plotëson kërkesat e tij.
Sipas Mirror, ardhja e Bruno Guimaraes për rreth 86 milionë euro kërcënon të reduktojë minutat e Zubimendit dhe ka ngritur pikëpyetje rreth vazhdimit të tij nën drejtimin e Mikel Artetës.
Megjithatë, qëndrimi i Arsenalit nuk nënkupton se Zubimendi është zyrtarisht në shitje. Reprezentuesi spanjoll ka kontratë me klubin deri në vitin 2030, ndërsa raportime të tjera nga Anglia bëjnë të ditur se “Topçinjtë” ende dëshirojnë ta mbajnë atë në skuadër.
Ndryshimi kryesor në planet e Artetës ka ardhur pas transferimit të Guimaraes. Braziliani iu bashkua Arsenalit nga Newcastle për 86 milionë euro dhe mund të luajë si mesfushor defensiv, por edhe në pozicione më të avancuara, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa.
Zubimendi kishte një rol të rëndësishëm sezonin e kaluar në Ligën Premier. Reprezentuesi spanjoll zhvilloi 38 ndeshje, shënoi pesë gola dhe regjistroi një asistim në kampionat, ndërsa në të gjitha garat grumbulloi mbi 4,000 minuta lojë.
Megjithatë, ngarkesa e madhe e sezonit të kaluar mund të ndryshojë në edicionin e ri.
Me ardhjen e Guimaraes, Arteta tashmë ka në dispozicion një lojtar që mund të luajë në rolin e “numrit gjashtë”, të avancojë si “numër tetë” ose të formojë një dyshe në mesfushë.
Në këtë mënyrë, Arsenali dëshiron të shmangë situatën ku një futbollist me kontratë afatgjatë mbetet me minuta të kufizuara dhe humbet vlerën në treg.
Sipas Mirror, një ofertë financiarisht e rëndësishme mund ta shtyjë klubin londinez të marrë në konsideratë shitjen e Zubimendit gjatë javëve të mbetura të afatit kalimtar.
Raportimet e fundit sugjerojnë se Arsenali e vlerëson mesfushorin në të paktën 90 milionë euro, një shifër dukshëm më e lartë se rreth 60 milionë eurot që klubi shpenzoi për ta transferuar atë nga Real Sociedadi në verën e vitit 2025./Telegrafi/


