Please enter at least 3 characters.

Arrestohen pesë persona në Kaçanik për tentim vjedhje

Policia në Kaçanik ka arrestuar pesë persona për tentim të vjedhjes së rëndë, pas një operacioni të shpejtë në lagjen ku po kryhej vepra.

Sipas raportit të policisë, më 1 shkurt rreth orës 01:40, patrulla ka marrë informacion se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarie në rrugën “Ismail Raka”.

Në vendngjarje janë arrestuar dy shtetas të Serbisë: M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer veprën penale “Tentim vjedhje e rëndë”.

Në të njëjtën kohë, një patrullë tjetër ka ndaluar një veturë me targa vendore, ku ndodheshin tre shtetas kosovarë: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç). Ata janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Në vendin e ngjarjes Njësia e Hetimeve ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e vjedhjes, përfshirë: shufra metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet i mprehtë (skalpër) dhe doreza.

Po ashtu, tek të dyshuarit janë gjetur çelësat e një veture VW Caddy me targa vendore, e cila ishte e parkuar pranë artaries.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe përkthyesit, ndërsa dy prej tyre kanë pranuar përfshirjen në rast. Me urdhër të prokurorit, pesë persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore.

Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe i inkurajon të raportojnë çdo veprim të dyshimtë në numrin 192 ose përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/