Arrestimi i 16-vjeçarit në Ferizaj, i hodhi benzinë vetes si dhe sulmoi me thikë zyrtarët policorë - arrestohet edhe nëna e tij
Sot rreth orës 07:50, Policia e Kosovës ka pranuar një informatë se në sheshin e qytetit në Ferizaj një person po sulmonte qytetarët me mjet të mprehtë (thikë).
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se një person kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, ndërsa një qytetar tjetër kishte pësuar lëndime trupore gjatë tentimit për t'u larguar nga i dyshuari, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
"Hetuesit Rajonalë në Ferizaj, të mbështetur nga njësitet tjera, kanë ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin e tij. Pas kontrollit në banesën e të dyshuarit dhe më pas në një adresë në fshatin Greme, policia ka arritur ta lokalizojë atë. Me të arritur në vendngjarje, i dyshuari ka refuzuar t'u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë", thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim gjatë ndërhyrjes, nëna e tij ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.
"Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t'i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre. Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës", thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe).
Gjithashtu është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve.
Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.


