Ari Blue, vjen nga Gjermania për të bërë karrierë në tregun shqiptar
Ariana Plakiqi, emri skenik i së cilës është Ari Blue. është këngëtarja më e re në skenën tonë. Ajo së fundmi ka realizuar projektin e saj të parë, edhe pse prej vitesh merret me muzikë.
Ndonëse është e lindur dhe e rritur në Gjermani, ajo karrierën muzikore dëshiron që fillimisht ta zhvillojë në Kosovë. Vetëm para pak ditësh ka përfunduar projektin e parë muzikor me titull “M’kujton”.
Duke pasur një dashuri të veçantë për vendlindjen e prindërve, Ari ka dashur që këngën dhe videoklipin ta realizojë në gjuhën shqipe dhe karrierën me projekte të saj ta nisë në Kosovë, transmeton koha.net.
Klipi i këngës është realizuar në Gjermani, por po ashtu me produksion nga Kosova. Ekipi i Pink Moon ka udhëtuar atje, me kërkesë të këngëtares. Arsyeja për këtë, sipas Arianës, është pasi ka dashur që videoklipi i saj i parë të jetë më i veçantë dhe të xhirohet në vendin ku është rritur e vazhdon të jetojë.
Këngën “M’kujton”, Ari Blue e sheh si një mundësi të mirë që të njihet nga publiku kosovar, por pse jo edhe nga kolegët, bashkëpunimet me të cilët janë të mirëseardhura për të në të ardhmen.
Me shpresë që publiku do ta mirëpresë projektin e parë, Ari thotë se ka në plan që menjëherë të nisë punën për këngën e radhës, që do ta sjellë gjatë muajve të ardhshëm.


