Ardon Jashari drejt largimit nga AC Milan, kalon te rivali në Serie A?
Mesfushori Ardon Jashari ka pasur një sezon të parë të vështirë te Milani, ku nuk arriti të kthehet në titullar të rregullt. Megjithatë, 23-vjeçari tashmë ka tërhequr interesin e një rivali në Serie A.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Atalanta e ka futur Jasharin në listën e kandidatëve për ta zëvendësuar Edersonin. Braziliani pritet të transferohet te Manchester United për rreth 50 milionë euro, ndërsa klubi nga Bergamo ka nisur prej kohësh kërkimin për pasuesin.
Përveç Jasharit, në radarët e Atalantës thuhet se janë edhe dy emra të tjerë: Samuele Ricci (gjithashtu pjesë e Milanit) dhe Lucas Da Cunha i Comos.
Ndryshime të mëdha priten edhe në udhëheqjen sportive të Atalantës. Maurizio Sarri pritet të marrë drejtimin e skuadrës si trajner, ndërsa ish-drejtori i Juventusit, Cristiano Giuntoli, pritet të emërohet drejtor sportiv.
Mbetet të shihet nëse Jashari do të jetë ndër përforcimet e reja. Milani e bleu 23-vjeçarin para një viti për pothuajse 40 milionë euro, por e ardhmja e tij te “Rossonerët” pritet të varet kryesisht nga planet e trajnerit të ri dhe nëse ai e sheh Jasharin si pjesë të rëndësishme të projektit.
Ndërkohë, Jashari është pjesë e Zvicrës për Kampionatin Botëror 2026 dhe synimi i tij është të arrijë sa më lartë në këtë kompeticion madhor./Telegrafi/


