Arabia Saudite “ka nisur sulme sekrete” ndaj Iranit
Arabia Saudite ka kryer një seri sulmesh të fshehta ndaj Iranit, si kundërpërgjigje për sulmet e kryera brenda mbretërisë gjatë luftës, kanë deklaruar për Reuters dy zyrtarë perëndimorë të informuar mbi çështjen dhe dy zyrtarë iranianë.
Sulmet saudite shënojnë herën e parë që dihet se vendi ka ndërmarrë drejtpërdrejt veprime ushtarake në territorin iranian dhe tregojnë se Riadi po bëhet shumë më i guximshëm në mbrojtjen kundër rivalit të tij kryesor rajonal.
Sipas dy zyrtarëve perëndimorë, sulmet janë kryer nga Forcat Ajrore Saudite në fund të muajit mars.
Njëri prej tyre tha vetëm se bëhej fjalë për “sulme hakmarrëse, si kundërpërgjigje pasi Arabia Saudite ishte goditur”.
Reuters tha se nuk ka mundur të konfirmojë se cilat ishin objektivat specifike të sulmeve.
Në përgjigje të kërkesës për koment, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme saudite nuk e adresoi drejtpërdrejt nëse sulmet ishin kryer apo jo.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj kërkesës për koment. /Telegrafi/


