Please enter at least 3 characters.

“Ancelotti vendosi”, Vinicius Jr shpjegon arsyen pse nuk e gjuajti penalltinë ndaj Norvegjisë

Vinicius Junior ka sqaruar arsyen pse nuk e ekzekutoi penalltinë e Brazilit në humbjen 2-1 ndaj Norvegjisë në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës.

Brazili u eliminua nga turneu pas dopietës së Erling Haaland, ndërsa një nga momentet më të diskutuara të ndeshjes ishte penalltia e humbur nga Bruno Guimaraes, në kohën kur rezultati ishte ende 0-0.

Pas ndeshjes, shumë tifozë ngritën pikëpyetje se përse Vinicius Junior nuk mori përsipër ekzekutimin e penalltisë. Ylli i Real Madridit sqaroi se vendimi nuk ishte i tij, por i stafit teknik.

“Pse nuk e ekzekutova penalltinë? Sepse ishte vendim i trajnerit.”

“Unë kurrë nuk fshihem dhe nuk i shmangem përgjegjësive.”

“Marr gjithmonë përgjegjësi kur duhet, por këtë herë ishte një vendim i trajnerit dhe unë e respektova atë”, deklaroi Vinicius.

Më herët, përzgjedhësi Carlo Ancelotti kishte bërë të ditur se zgjedhja ishte bazuar në analiza statistikore dhe jo në reputacionin e lojtarëve, ndërsa Bruno Guimaraes u përzgjodh për ta ekzekutuar penalltinë.

Megjithatë, mesfushori brazilian nuk arriti ta mposhtte portierin Orjan Nyland, një moment që ndikoi ndjeshëm në eliminimin e Brazilit nga Kupa e Botës./Telegrafi/