Please enter at least 3 characters.

Situatë e rëndë në Kllokot, vërshimet sjellin vështirësi në qarkullim dhe rrezik për banorët

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në qarkullim në territorin e komunës së Kllokotit.

Rruga Kllokot–Viti aktualisht është e kalueshme vetëm për mjete të larta, ndërsa automjetet e vogla nuk rekomandohet të qarkullojnë në këtë segment.

Ish-kandidati për kryetar të Kllokotit, Arbër Emini ka bërë të ditur se policia ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

"Situata e krijuar nga niveli i lartë i ujërave konsiderohet e paqëndrueshme, ndërsa rreziku i përshkallëzimit të vërshimeve mbetet i mundshëm", thuhet në postimet e tij të bëra në Facebook.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë larg zonave të rrezikshme deri në stabilizimin e motit, raporton Telegrafi.

Emini ka kërkuar më tej që që institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe emergjencave të vendosin numra të posaçëm kontakti, në mënyrë që banorët të kenë mundësi të raportojnë urgjencat dhe të kërkojnë ndihmë në kohë reale.

Sipas tij, mungesa e një adrese funksionale për raportim paraqet vështirësi shtesë në menaxhimin e situatave emergjente.




Në teren nuk raportohet për nevojë të menjëhershme për evakuim, megjithatë gatishmëria mbetet e lartë.

Autoritetet apelojnë që qytetarët të respektojnë udhëzimet e sigurisë deri në normalizimin e kushteve atmosferike. /Telegrafi/