Please enter at least 3 characters.

Aktivistët pro-palestinezë u ngjitën në Portën e Brandenburgut

Aktivistë propalestinezë u ngjitën të enjten mbi Portën e famshme të Brandenburgut në Berlin dhe shpalosën një transparent gjigant në shenjë proteste kundër mbështetjes që Gjermania i jep ofensivës ushtarake izraelite në Gaza.

Aktivistët, duke përdorur një vinç, arritën në majë të monumentit historik në Pariser Platz. Ata shpalosën një transparent ku shkruhej “Gjenocid: Kurrë më - Liri për Palestinën”, dhe qëndruan për një kohë të gjatë mbi strukturë, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur slogane.

Policia e Berlinit njoftoi se gjashtë aktivistë u arrestuan në vendngjarje për shkak të hyrjes së paligjshme në monumentin historik me ndihmën e vinçit.

Protesta pasqyron pakënaqësinë në rritje të opinionit publik ndaj politikës së qeverisë gjermane për Gazën.

Kancelari Friedrich Merz, i njohur si mbështetës i fortë i Izraelit, ka theksuar disa herë “përgjegjësinë historike të Gjermanisë” për sigurinë e Izraelit, që rrjedh nga periudha naziste dhe Holokausti.

Lideri konservator ka refuzuar kërkesat e deputetëve të opozitës që Gjermania të vendosë embargo armësh ndaj Izraelit gjatë fushatës së tij ushtarake brutale në Gaza, ka hedhur poshtë propozimet për pezullimin e marrëveshjes tregtare midis BE-së dhe Izraelit, si dhe është kundër njohjes së shtetit palestinez.

Hulumtimet e fundit tregojnë një hendek në rritje midis qëndrimit të qeverisë dhe opinionit publik në Gjermani lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme.

Sipas një ankete të ARD-së, 63 për qind e gjermanëve kundërshtojnë ofensivën izraelite në Gaza, ndërsa 55 për qind mendojnë se qeveria e Merzit duhet të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Izraelit.

Në një sondazh të veçantë të agjencisë YouGov, 62 për qind e të anketuarve e kanë përshkruar veprimin izraelit në Gaza si gjenocid. /Telegrafi/