Ajo jeton në Rusi dhe i quajti austriakët “hiena”: Ish-ministrja e Jashtme Karin Kneissl ndez polemika të ashpra
Karin Kneissl ka qenë ministre e Jashtme e Austrisë nga dhjetori 2017 deri në qershor 2019.
Ajo u propozua në këtë post nga partia e ekstremit të djathtë FPÖ.
Pasi humbi postin, Kneissl kaloi një kohë në Francë e Liban, pastaj u shpërngul në Rusi dhe ndërkohë thotë se ndihet e tradhtuar nga Austria.
Së fundmi ajo u shfaq në një kanal në YouTube ku dha një intervistë.
“Nuk është rastësi që Hitleri erdhi nga Austria“, thotë ajo me mllef dhe shtoi: “Në Francë njerëzit ishin humanë, në Austri hiena“.
Videoja u publikua në një kanal në YouTube të quajtur “Brücke nach Osten“ (Ura drejt Lindjes).
Klipi, sipas mediave austriake, është parë mbi 40 mijë herë deri më tani.
Intervista u drejtua nga Marina Zakamskaja, e cila sipas mediumit të pavarur rus “iStories“, të paktën më parë ka punuar indirekt për RT - ish-Russia Today.
Karin Kneissl qe bërë e njohur në opinionin e gjerë botëror kur gjatë dasmës së saj u ul në gjunjë para Vlladimir Putinit.
Lideri rus ishte mysafir special kur Kneissl u martua më 2018.
Martesa e saj mori fund shpejt.
Kneissl drejton në Universitetin e Shën Petersburgut një qendër kërkimore (think-tank) të quajtur G.O.R.K.I. – “Observatori Gjeopolitik për Çështjet Kryesore të Rusisë“.
Kneissl është mysafire e rregullt në televizionin shtetëror rus.
Në Vjenë, fjalët e ish-ministres u pritën me indinjatë dhe u hodhën poshtë.
Veçanërisht ashpër reaguan partia konservatore ÖVP ose ajo liberale Neos. Kjo e fundit dëshiron të nisë një procedurë për heqjen e nënshtetësisë austriake të Kneissl, siç raporton gazeta “Krone”.
Ligji për nënshtetësi i Austrisë thotë se heqja është e mundur nëse kryhet “shërbim për një shtet të huaj“.
Shumë vëzhgues në Austri besojnë se ajo që bën Kneissl është shërbim ndaj Rusisë. /Telegrafi/


