Ahmeti: Kosova po përballet me analfabetizëm funksional, intelegjenca artificiale mund ta thellojë problemin nëse shteti nuk vepron
Drejtori ekzekutiv i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka ngritur shqetësimin se mungesa e veprimeve konkrete në arsim dhe qasja e ngadaltë e politikës ndaj zhvillimeve të reja teknologjike mund të ketë pasoja afatgjata për shoqërinë.
Në emisionin “Përballje Podcast”, Ahmeti tha se arsimi është sektori që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e të gjitha fushave të tjera dhe se pa një sistem arsimor cilësor, vendi vështirë se mund të ecë përpara shkruan Telegrafi.
“Politika po ecën ngadalë dhe me indiferencë ndaj një sektori që për mendimin tim ka efekt domino. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm në asnjë fushë tjetër nëse nuk kemi të paktën një sistem arsimor mbi mesataren”, deklaroi ai.
Duke iu referuar rezultateve të testeve ndërkombëtare PISA, Ahmeti tha se një nga problemet kryesore të nxënësve në Kosovë mbetet analfabetizmi funksional.
“Sfida kryesore nuk është vetëm leximi i një teksti, por kuptimi dhe interpretimi i tij. Një person me analfabetizëm funksional nuk arrin të përdorë informacionin që lexon, nuk e kupton saktë dhe nuk arrin ta interpretojë atë në mënyrë kritike”, u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, kjo lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e mendimit kritik, i cili rrezikon të dobësohet edhe më shumë nëse përdorimi i inteligjencës artificiale nuk trajtohet me politika dhe udhëzime të qarta.
“Kam frikë se nëse nuk e adresojmë inteligjencën artificiale, këtë fuqi dhe potencial që tashmë është pjesë e jetës së nxënësve, problemet ekzistuese vetëm do të thellohen”, tha Ahmeti. /Telegrafi/


