Please enter at least 3 characters.

Agon Bytyqi rizgjidhet zëvendësdrejtor i AKI-së

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, ka nënshkruar vendimin për vazhdimin e mandatit të Agon Bytyqit si zëvendësdrejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas njoftimit të Haxhiut, Bytyqi do të vazhdojë të ushtrojë këtë detyrë edhe për një mandat pesëvjeçar.

Ajo ka theksuar se përvoja e tij, njohja e institucionit dhe përgjegjësia e dëshmuar gjatë mandatit të parë janë vlerësuar si të rëndësishme për vazhdimësinë dhe punën profesionale të AKI-së në mbrojtje të sigurisë së vendit.

Haxhiu ka bërë të ditur se Bytyqi është falënderuar për punën e deritanishme, ndërsa i janë uruar suksese në mandatin e ri.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë është institucioni përgjegjës për mbledhjen dhe analizimin e informacionit me rëndësi për sigurinë e vendit.

Kush është Agon Bytyqi

Zëvendësdrejtori i rizgjedhur i AKI-së, ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës më 2008, ndërkaq studimet master në fushën e drejtësisë i ka përfunduar më 2012.

Një pjesë të studimeve, Bytyqi i ka përfunduar në SHBA.

Ai, gjithashtu ka përfunduar provimin e Jurisprudencës më 2018.

Ka përvojë 11-vjeçare në fushën e sigurisë, si dhe në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Bytyqi është caktuar në këtë pozitë në korrik të vitit 2021./Telegrafi/