Abdixhiku: LDK nuk ka çantë magjike që t'i zgjidh problemet, zgjidhja vjen përmes marrëveshjes politike
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas dështimit të seancës së 22-të të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se partia që ai drejton nuk mund t’i zgjidh të gjitha problemet.
Abdixhiku u shpreh se “LDK-ja nuk ka çantë magjike”.
“I takon partisë së parë që të bëjë zgjidhje, partitë e tjera nuk kanë numra e siç duket as partia e parë si ka numrat e nevojshëm. Kemi bërë një propozim që të bëhemi bashkë e dalim prej kësaj krize sepse është turp kjo çka po ndodh këtu, më shumë se kaq LDK s’mund të bëjë. Nuk ka LDK-ja qante magjike që ti zgjidh të gjitha problemet, duhet të ulemi të bisedojmë për zgjidhjeve eventuale. Duhet marrëveshje politike”, tha kreu i LDK-së.
Ai tutje u shpreh se LVV nuk është e interesuar për zgjidhje.
“E vërteta është e thjesht, i ke 48 deputetë dhe nuk je në gjendje të ulesh me dike për zgjidhje dhe thua që nuk është urgjencë, LDK nuk mund të bëjë magji”, tha Abdixhiku.
I pyetur për takimet e tij me Fatmir Limajn, Abdixhiku tha se janë miqësore dhe nuk lidhen me çështjet parlamentare.
Ai shtoi se do të ketë diskutime për bashkëpunime, sidomos për zgjedhjet lokale që po afrohen, por theksoi se zgjidhja në Kuvend është e pamundur nëse partia kryesore nuk tregon vullnet për zgjidhje. /Telegrafi/


