Please enter at least 3 characters.

A po jua shkatërron flokët bishti? 4 gabimet që shkaktojnë këputje dhe rënie

Lidhja shumë e fortë, kapja gjithmonë në të njëjtin vend, flokët e lagur dhe gomat e gabuara mund ta dobësojnë fijen, ta dëmtojnë rrënjën dhe të çojnë në rënie të flokëve

Bishti është ndoshta një nga frizurat më të thjeshta në botë. Mjafton t’i mblidhni flokët, t’i lidhni dhe gjithçka duket e përfunduar. Duket sikur këtu vështirë se mund të gaboni. I shkon pothuajse çdo fytyre, duket elegant dhe është zgjidhje praktike për çdo ditë.

Megjithatë, edhe pse bishti bëhet lehtë, ai nuk është gjithmonë i butë me flokët tuaj. Në fakt, mjafton vetëm një shprehi e gabuar, si përdorimi i gomës së papërshtatshme, që flokët të dëmtohen seriozisht, të këputen, majat të çahen, madje edhe të bien. E njëjta gjë vlen edhe për gërshetat e lidhura tepër fort.

A po pyesni veten nëse frizura juaj e preferuar po shkakton këputje ose rënie të flokëve? Kushtojuni vëmendje shenjave si rrallimi i flokëve në majë të kokës dhe në tëmtha, fijet e thyera dhe të pabindura rreth veshëve, si dhe fijet më të shkurtra e të dëmtuara në pjesën e pasme të qafës, të cilat duken të holla dhe të shpupuritura.

Ja cilat gabime duhet t’i shmangni kur i mbani flokët të lidhur mbrapa dhe si mund t’i bëni frizurat e preferuara pa e ngarkuar tepër skalpin dhe vetë fijen e flokut, transmeton Telegrafi.

shutterstock

1. Kujdes nga bishti ose gërsheti i lidhur tepër fort

Nëse shpesh mbani bisht ose gërshet shumë të shtrënguar për periudha të gjata, presioni i vazhdueshëm në rrënjën e flokut mund të çojë në rënie më të madhe të flokëve të shëndetshëm. Pasojat zakonisht vërehen rreth fytyrës, sidomos në tëmtha dhe në ballë, ku flokët janë natyrshëm më të hollë dhe më të ndjeshëm.

Edhe pse stilimi i tepruar nuk është gjithmonë shkaku kryesor i rënies së flokëve, sepse ndikojnë edhe sëmundjet, gjenetika, stresi, mungesa e gjumit dhe ushqimi i dobët, dermatologët rënien e flokëve nga tërheqja e vazhdueshme e quajnë "alopeci nga tërheqja".

Përveç rrallimit të dukshëm në tëmtha dhe në ballë, shenja të tjera janë hollimi i flokëve, dhimbja ose ndjeshmëria e skalpit, si dhe shfaqja e cisteve të vogla ose kokrrizave rreth rrënjës së flokut.

Në raste më të lehta, kjo gjendje mund të trajtohet me preparate si minoxidil ose me barna orale si finasteride, por më e rëndësishmja është të ndalohen shprehitë që krijojnë presion të madh në skalp.

Për ato që e duan bishtin e shtrënguar ose gërshetin e lëmuar, por duan të shmangin rrallimin e mundshëm, llaku për flokë mund të ndihmojë. Për një bisht të rregullt dhe të lëmuar, fillimisht krihni flokët me furçë me fije natyrale, pastaj lidhini dhe në fund vendosni llak. E rëndësishme është të mos e shtrëngoni shumë gomën.

2. Mos e lidhni gjithmonë bishtin në të njëjtin vend

Mbajtja e përditshme e bishtit ose gërshetit nuk e ngarkon vetëm rrënjën, por edhe vetë fijen, sidomos nëse flokët i lidhni vazhdimisht në të njëjtën lartësi. Floku është fije e ndjeshme dhe presioni i vazhdueshëm në një pikë mund të shkaktojë dëmtim dhe këputje.

Zgjidhja është e thjeshtë: ndryshoni lartësinë dhe pozicionin e bishtit ose gërshetit. Edhe më mirë, mos i mbani flokët gjithmonë të lidhur dhe herë pas here lërini të pushojnë.

3. Mbani mend: flokët e lagur janë shumë më të ndjeshëm

Lidhja e flokëve të lagur mund të jetë gabim serioz, sepse fija e lagur është shumë më e dobët dhe më e prirur për t’u këputur sesa fija e thatë. Nëse i lidhni flokët me gomë derisa janë ende të lagur, rreziku i dëmtimit rritet dukshëm.

Prandaj, është më mirë të prisni derisa flokët të thahen plotësisht para se t’i lidhni, sidomos nëse përdorni goma të forta. Për mbrojtje shtesë, krihini butësisht, përdorni preparat pa shpëlarje dhe mbrojtje nga nxehtësia, ndërsa shmangni krehjen e ashpër dhe prekjen e tepërt derisa të thahen.

4. Zgjidhni gomën e duhur për flokë

Gomat e holla duken bukur dhe diskrete. E njëjta vlen edhe për ato transparente. Por, fatkeqësisht, të dyja mund të krijojnë presion të madh mbi fijen e flokut dhe ta këpusin lehtë. Duhet të shmangen edhe gomat me pjesë metalike, sepse ato mund ta gërvishtin dhe dëmtojnë flokun.

Zgjedhje shumë më e butë janë gomat prej mëndafshi. Edhe pse mund të mos duken minimaliste, sot vijnë në shumë ngjyra dhe madhësi të vogla, të cilat përshtaten lehtë me flokët.

Nëse përdorni gomë klasike, mos zgjidhni kurrë gomë të zhveshur, pa mbështjellës mbrojtës, dhe gjithmonë jepuni përparësi varianteve më të trasha. Flokët dhe skalpi do t’ju jenë mirënjohës. /Telegrafi/