Please enter at least 3 characters.

A mund të manipulohen zgjedhjet nga dezinformimi? Fetoshi tregon çfarë i duhet Kosovës

Foto: ENVATO

Kosova ndodhet në proces të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa javëve dhe muajve të fundit, siç ndodh shpesh në periudha zgjedhore, janë shfaqur faqe, rrjete dhe grupe të ndryshme në platforma digjitale, të cilat nuk kanë impresum dhe nuk dihet se kush qëndron prapa tyre.

Këto hapësira shpesh shpërndajnë narrativa të ndryshme, disa prej tyre kundër Kosovës, por edhe kundër liderëve partiakë dhe subjekteve politike në vend.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se Kosova duhet të krijojë mekanizma më të fuqishëm institucionalë për t’u përballur me dezinformimin, sidomos në kontekstin e proceseve zgjedhore dhe ndërhyrjeve të jashtme.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Fetoshi tha se Instituti OCTOPUS ka insistuar prej kohësh që Kosova të ndjekë shembullin e vendeve të NATO-s, duke krijuar një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit.

“Ne kemi insistu ka kohë që Kosova të lëvizë, ashtu siç kanë lëvizë vende të NATO-s, me një Qendër Nacionale Kundër Dezinformimit. Për fat të keq, institucionet nuk kanë lëvizur në këtë drejtim”, deklaroi Fetoshi.

- YouTubewww.youtube.com

Fetoshi theksoi se dezinformimi dhe narrativat manipuluese mund të përdoren për të minuar besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës, veçanërisht në periudha të ndjeshme politike dhe zgjedhore.

Ai tha se institucionet duhet të kenë kapacitete më të mëdha për të reaguar shpejt ndaj çdo inskenimi apo narrative që mund të prodhohet kundër Kosovës.

“Të rriten kapacitetet e institucioneve për t’iu përgjigjur sa më shpejt që është e mundshme çfarëdo inskenimi eventual që Serbia tenton të prodhojë”, u shpreh Fetoshi shkruan Telegrafi.

Sipas tij, reagimi i shpejtë institucional është i domosdoshëm për të mos lejuar që informacionet e pavërteta të shndërrohen në narrativë publike dhe të ndikojnë në perceptimin e qytetarëve.

Fetoshi tha se mbrojtja e hapësirës informative është e lidhur drejtpërdrejt me mbrojtjen e procesit zgjedhor dhe funksionimin demokratik të shtetit.


“Në qoftë se arrijmë me e mbrojtë hapësirën informative, ne e kemi mbrojtur edhe procesin zgjedhor”, deklaroi Fetoshi në “Përballje Podcast”.

Ai shtoi se Kosova duhet ta trajtojë dezinformimin si sfidë serioze për sigurinë dhe demokracinë, duke rritur koordinimin institucional dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë./Telegrafi/.

true